Aktualitet “Kam probleme shëndetësore”, Gjykata e Posaçme refuzon sërish Ramazan Rrajën, e lë...

“Kam probleme shëndetësore”, Gjykata e Posaçme refuzon sërish Ramazan Rrajën, e lë në burg

Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për Ramazan Rrajën. Ai kërkoi lirinë nga qelia me argumentin se ka probleme shëndetësore.

Rraja akuzohet për “sigurim kushtesh për të kryer vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje” në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Më herët, ishte Gjykata e Posaçme e Apelit e cila nuk e pranoi ankimin e Ramazan Rrajës, kundër vendimit që e la atë në qeli pa afat.

Ramazan Rraja qëndroi për rreth një vit në arrati, për t’u arrestuar të Ura e Gjolës nga Policia e Durrësit, teksa lëvizte me makinë dhe armë me vete. SPAK thotë se Rraja bashkë me 8 persona të tjerë, me kërkesë të Plaurent Dervishajt organizuan atentatin e 1 nëntorit 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku nga të shtënat me armë mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Pëllumb Muharremi dhe ish-prokurori Arian Ndoja.

Si provë kryesore, Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë një sërë komunikimesh të enkriptuara mes autorëve, të zbërthyera nga autoritetet franceze.

Ramazan Rraja është djali i Xhelal Rrajës. Ky i fundit është shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar ndaj dy kushërinjve Maja një javë më parë në Borizanë dhe po ashtu është personi që shfaqet në pamje filmike me armë në dorë.