Bota “Kam puthur Erdoganin dhe Putinin, por kjo nuk e dëmtoi Europën”

“Kam puthur Erdoganin dhe Putinin, por kjo nuk e dëmtoi Europën”

Presidenti në largim i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka dhënë një intervistë për gjermane, “Der Spiegel” në të cilën ndër të tjera jep disa konsiderata për figura të njohura të politikës europiane.

I pyetur mbi faktin se përse nuk luftoi për të shmangur sa të mundej Brexit, Juncker thotë se ky ka qenë një gabim i madh.

“Kisha shumë ftesa, por Cameron bëri të qartë se nuk i duhesha për ndonjë gjë. Komisioni Europian është edhe më pak popullor në Britani sesa në kontinent. Vendosa të mos përfshihem. Duke parë sot, mendoj se ishte një gabim i madh. U thanë aq shumë gënjeshtra, përfshirë nga kryeministri i tanishëm, Boris Johnson dhe ato duheshin kundërshtuar”, shprehet Juncker.

Lidhur me marrëdhënien e veçantë të tij me presidentin amerikan Donald Trump, ai zbulon një marifet origjinal.

“Një nga truket e mia të vockla ishte se unë përdorja vetëm statistikat amerikane kur flisja me presidentin Trump. Kur ai thoshte, “nuk u besoj numrave të tu”, i përgjigjesha: “Këto janë numrat e tu”. Trump më tregoi për të gjithë njerëzit nga Europa që kishte takuar në Shtëpinë e Bardhë përpara meje – kancelaren, president, kryeministra. Dhe unë i thashë: Ata janë të gjithë të rëndësishëm, por keni folur me njerëzit e gabuar. Komisioni Europian është përgjegjës për tregtinë, jo vendet anëtare. Kjo gjë e impresionoi atë. Trump atëherë u përgjigj: Nuk dua një marrëveshje me BE-në, dua një marrëveshje me ty. Ia ktheva: Komisioni Europian ka përgjegjësi për çështjet tregtare. Një marrëveshje me mua është një marrëveshje me BE-në…Nuk jam dakord me shumë nga vendimet e Trump, por e respektoj. Njeri është edhe ai. Të flasësh me të pa respekt nuk i hap derën ndonjë marrëveshjeje të vlefshme”, thotë Juncker.

Lidhur me mendimin se kush nga politikanët kryesorë gjermane që ka njohur është më europiani, presidenti në largim i KE-së thotë se sipas tij mbetet Helmut Kohl.

“Ai ishte historian. Ai mund të mendonte në kontekst historik dhe t’ua shpjegonte të tjerëve. Përveç kësaj, ai ishte dikush që ishte shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet me vendet e vogla anëtare të BE-së. P.sh Kohl mund të riprodhonte emrat e luftëtarëve luksemburgas të rezistencës që ishin vrarë në kampet gjermane të përqendrimit gjatë ditëve të fundit të luftës…Kohl e kishte në zemër Europën. Dhe kur vinte puna tek interesat gjermane ai papritur kishte Gjermaninë në kokë. Gerhard Schroder, të cilin e kam vlerësuar po ashtu shumë, nuk e kishte për zemër Europën. Ai e kishte atë në mendje. Për të procesi i unifikimit ishte logjik dhe racional dhe nuk kishte alternativë tjetër”.

Për sa i përket vërejtjeve për sjelljen në publik dhe pijen, Juncker nuk druhet dhe thotë se është ai që është. Diçka më konkrete thotë ai edhe për natyrën e hapur dhe kontaktin fizik me të tjerët, që është vënë shpesh në dukje..

“Më ka puthur Erdogan, kështu që edhe unë e putha. Kam puthur Putinin dhe ai më puthi. Në të dyja rastet kjo sigurisht që nuk e lëndoi Europën”, thotë ai.

Jeta pas politikës? Juncker ka një përgjigje: “Kam 56 mijë libra. Dhe për herë të parë po dhuroj disa. Është e dhimbshme”.