Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë në faqen e saj në Facebook videon e një prej pacientëve që sot lë Spitalin e Infektivit i shëruar nga COVID-19.
Në mesazhin e tij 66-vjeçari tregon se ka mbërritur në spital në gjendje të rënduar. Më tej ai thotë se falë mjekëve dhe kujdesit shëndetësor arriti të fitojë betejën me COVID-19.
“Kam rilindur për së dyti” – Dëshmia e Kastriotit, 66-vjeçarit nga Fieri që sot u kthye në shtëpi, pranë familjes, pas 21 ditësh të vështira në spitalin infektiv! Punë fantastike e stafit mjekësor, për trajtimin me sukses të 66-vjeçarit, i cili vuante nga diabeti, hipertensioni dhe me gjendje post infarkti të miokardit. Sot Kastrioti është i shëruar”, shkruan ministrja.
Gjatë 24 orëve të fundit 9 pacientë janë shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 76.