Aktualitet “Kam vrarë motrën!”/ Zbulohet dinamika e krimit të rëndë në Shkodër

“Kam vrarë motrën!”/ Zbulohet dinamika e krimit të rëndë në Shkodër

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e rëndë në Shkodër ku vëllai vrau motrën me armë zjarri në lagjen “Ndoc Mazi”.

“Panorama” raporton shtetasja Diana Vuka, 58 vjeçe, u gjet e pajetë në banesë teksa dyshohet se është vrarë që të premten në darkë më 4 qershor, pra 3 ditë më parë.

Viktima u gjet e pajetë brenda në dhomën e saj në shtratin ku flinte. Në banesë policia vendore e Shkodrës ka gjetur 6 shishe birre 1.5 kg secila të boshatisura, gjë e cila tregon se autori i dyshuar ka qenë totalisht nën efektin e alkoolit kur ka kryer krimin tragjik brenda familjes.

Sipas burimeve nga vendngjarja autori i dyshuar Fabian Vuka ishte një person i alkoolizuar gjatë gjithë kohës ndërsa thuhet se ka luajtur edhe bixhoz shpesh. 55-vjeçari jetonte i vetëm pasi nuk ishte i martuar dhe ishte edhe i papunë. Ka qenë pikërisht motra e tij të cilën e qëlloi për vdekje e cila është nënshtetase gjermane dhe për çdo muaj i ka dërguar të vëllait 300 euro për ta ndihmuar.

Blerja orendive dhe telefonata

Diana Vukaj kishte një javë që kishte ardhur nga Gjermania për pushime në Shkodër. Gjatë kësaj kohe 58-vjeçarja ka bërë disa porosi përmes një mike të saj për të mobiluar një shtëpi pushimi që kishte në plazhin e Velipojës. Viktima ka bërë afro 4 mijë euro porosi orendi shtëpiake për banesën në Velipojë ndërsa ka dashur që të mobilojë me orendi të reja edhe shtëpinë ku jetonte i vëllai që e vrau.

Pak ditë më parë autori i dyshuar i vrasjes ka telefonuar kompaninë ku motra e tij kishte bërë porosinë e mobiljeve duke lëshuar një lumë sharjesh ndaj tyre. Sipas dyshimeve 55-vjeçari i ka kërkuar para të motrës që t’ia jepte atij duke mos qenë dakord me blerjet e orendive.

Sipas dyshimeve vëlla e motër kanë debatuar në banesë mbrëmjen e 5 qershorit gjë e cila ka përfunduar me vrasjen tragjike të 58-vjeçares. Autori i dyshuar ka telefonuar sërish kompaninë e mobiljeve dhe orendive duke i thënë atyre në telefon se: “A doni me fol me motrën time, nuk keni ku ta merrni, s’keni shans të flisni më me të“, duke nënkuptuar se e kishte vrarë.

Pas vrasjes gjatë të shtunës por edhe të dielës sërish nën efektin e alkoolit shtetasi Fabian Vuka ka dalë në lagje duke i thënë të tjerëve se: “Kam vrarë motrën, e kam në shtëpi të vdekur“. Pavarësisht këtyre fjalëve askush nuk e ka marrë seriozisht duke ditur gjendjen e tij të dehur dhe duke e njohur si person jo shumë të qëndrueshëm për shkak të alkoolit që e konsumonte gjithë kohën. Ka qenë një mike që jeton në Shkodër e viktimës e cila e ka ndihmuar për të bërë blerjet dhe për çdo gjë tjetër që kishte nevojë kur vinte në Shqipëri e cila pasi e ka telefonuar disa herë ka ngritur dyshime dhe ka telefonuar policinë duke i thënë se kishte frikë se diçka mund të kishte ndodhur.

Ngjarje e paralajmëruar

Diana Vuka edhe në nëntor të vitit të kaluar ka rrezikuar të vritej nga vëllai i saj dhe ka telefonuar miken duke i thënë “eja se Fabiani ka bërë planin për të më vrarë“. Edhe në atë kohë ka ndërhyrë policia duke e qetësuar situatën. Ndërkohë edhe para afro 3 viteve 55-vjeçari e ka rrahur motrën e tij e cila fillimisht ka bërë denoncim në polici, por më pas e ka tërhequr. Sot më 7 qershor Diana Vuka do festonte 58 vjetorin por tre ditë më parë vëllai i saj i mori jetën.

Fabian Vuka u arrestua brenda oborrit të shtëpisë ndërsa policia ka gjetur edhe armën e krimit tip pistoletë me silenciator me të cilën kreu vrasjen, gëzhoja si dhe disa prova të tjera. Fakti që e ka qëlluar me një pistoletë me silenciator ka bërë që komshinjtë të mos dëgjojnë asgjë ndaj edhe viktima ka qëndruar dy ditë e pajetë në shtëpi. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje tragjike në Shkodër, raporton “Panorama”.