Aktualitet Kishte humbur paratë në loto, menaxheri i karburantit në autostradë organizon grabitjen

Kishte humbur paratë në loto, menaxheri i karburantit në autostradë organizon grabitjen

Policia ka zbardhur grabitjen e karburantit në aksin Tiranë-Durrës, ku mëngjesin e së dielës, persona të armatosur morën një shumë parash.

Për këtë ngjarje janë arrestuar dy persona, Gert Farruku 23 vjeç menaxher i karburantit dhe Arsid Haxhija 22 vjeç pronar i lokalit pranë karburantit.

Nga hetimet u zbulua se në lokalin e karburantit organizoheshin lotari të palejuara. Menaxheri i karburantit, Gert Farruku për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.

Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, 23-vjeçari e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e Arsid Haxhija, i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga Farruku.

Për shkak të humbjeve të mëdha, menaxheri i karburantit dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë  borxhet që ka patur në loto.

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe organizim i lotarive të palejuara.