Florian Kamberi i tha po Shqipërisë. Emocionet nuk i fsheh dot, sidomos kur e di që ndeshja e parë ose e dytë e tij mund të jetë kundër Francës kampione bote. Sulmuesi ka folur gjerë e gjatë në një intervistë të dhënë për “Edinburghnews” dhe thekson se është privilegj për të të mbrojë ngjyrat kuqezi.
“Do të jetë diçka e madhe të luaj këto dy ndeshje dhe shpresoj të përfshihem dhe të krijoj një përshtypje të mirë te stafi teknik. Çdo ndeshje për kombëtaren tonë është një privilegj, nuk ka rëndësi kundër kujt luan. Por të luaj ndeshjen e parë ose të dytë me Francën, që është kampione bote, e bën më emocionuese”, shprehet Kamberi.
Sulmuesi e di çfarë atmosfere e pret dhe është i entuziazmuar: “Në atë ndeshje ju mund të krahasoni veten me lojtarët më të mirë dhe të shikoni ku jeni. Fakt është që do te jetë ndeshja e parë në stadiumin e ri dhe do të jetë një atmosferë e mrekullueshme. Është një periudhë e mrekullueshme për mua”.
PRESIONI NË KOMBËTARE
Kamberi e thotë vetë që pritshmëritë për të janë të mëdha: “Nëse je një lojtar kombëtareje, njerëzit të shohin me sy tjetër. Ata kanë më shumë pritshmëri nga ju dhe them se mund ta përballoj presionin shumë mirë. Unë nuk jam një djalë i dobët, më pëlqen presioni. Më motivon që t’ua provoj njerëzve që kanë ide të këqija për mua. Mezi e pres këtë sfidë dhe kam shumë besim. Po pres me padurim të bëhem një lojtar i Shqipërisë”.
ZGJEDHJA E SHQIPËRISË
Sulmuesi ka zbuluar si u bind të luante për ngjyrat kuqezi: “Kurrë nuk kam qenë duke pritur për një kombëtare të veçantë. Gjithmonë kam qenë në kontakte me Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë. Doja fillimisht të luaja rregullisht në klubin tim. Në klubin tim të mëparshëm, Grasshoppers, nuk luajta për gjashtë muaj. Kështu që për mua ishte e rëndësishme të luaja një vit të plotë si titullar, të shënoja gola dhe të futesha në një rutinë. Tani është koha e duhur”.
“Shqipëria tregoi interes të madh për mua. Më telefonuan mua dhe menaxherin tim dhe më treguan se më duan dhe u nevojitem. E gjithë kjo tregoi besimin e tyre tek unë. Nuk dua të pres për një kombëtare. Dua të shkoj aty ku u duhem dhe Shqipëria është kombëtarja e duhur për mua. Është privilegj për mua të luaj për Shqipërinë. Kam njohur disa prej lojtarëve dhe kjo ma bën më të lehtë mua”, rrëfen Kamberi.
ORIGJINA
Në fund Floriani flet edhe për familjen e tij, që është krenare që ai do të luajë për Shqipërinë. “Prindërit e mi janë nga Kosova, por për mua nuk ka një ndryshim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Për mua është vetëm një komb, që është ndarë. Të gjithë ne flasim të njëjtën gjuhë. Është privilegj ta përfaqësoj atë vend.
Familjarët e mi gjithashtu janë shumë krenarë. Që nga dita e parë ata kanë qenë në krahun tim, në momentet e mira dhe të këqija. Është diçka speciale për prindërit e mi të shohin djalin e tyre të përfaqësojë kombëtaren. Shqiptarët janë një komb i mrekullueshëm, kështu që mezi pres t’i përfaqësoj në fushë”, ka përfunduar sulmuesi 24-vjeçari, i cili është pjesë e Hibernian në Skoci.