Aktualitet “Kamera në rrugët e 19 qyteteve që çojnë fëmijët në shkollë”, Balla...

“Kamera në rrugët e 19 qyteteve që çojnë fëmijët në shkollë”, Balla prezanton projektin e ri

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka marrë pjesë ditën e sotme në aktivitetin “Promovimi i Udhëzimit të Shkollave të Sigurta”. Gjatë fjalës së tij, ministri Balla ka thënë se po punojnë për financimin e një projekti për të pajisur me kamera rrugët e 19 qyteteve më të mëdha të vendit që çojnë fëmijët në shkollë, si fazë e parë.

Taulant Balla: Po punojmë me partnerët për të siguruar financimin e një projekti të madh, pajisje me kamera të 19 qyteteve më të madhe të vendit si fazë e parë, me fokus të gjithë rrugët që çojnë fëmijët në shkolla. Ky është një dimension i rëndësishëm i garantimit të sigurisë që shoqërohet me siguri policore.

Më tej, ministri Balla ka deklaruar se shumë shpejt do të kemi 200 kilometrat e para të vendit të monitoruar me kamera dhe radarë, për të cilën ka thënë se do të sjellë më shumë siguri në vend.

Taulant Balla: Për ta zëvendësuar rolin që kryen policia me kamerat dhe radarët dhe shumë shpejt do të keni të mundur 200 kilometrat e para të vendit të monitoruar me kamera dhe radarë që të mos kemi postblloqet policore që në shumë raste nuk janë gjëja me e mirë. Prezenca e policisë në rrugë për një pjesë sjell siguri dhe për një pjesë, tregon një mungesë të zhvillimit. Jemi në rrugën e duhur për të garantuar më shumë siguri. Pjesa tjetër lidhet me rezultatet e deritanishme të sigurisë në shkolla. Më shumë se 200 ditët e kësaj pakete, 1 mijë e 100 shpërndarës të lëndëve narkotike të ndaluar nga Policia e Shtetit që është aty me gatishmëri të lartë për t’i rikthyer përsëri në qendrat e vuajtjes së dënimit nëse guxojnë të përdoren përsëri nga grupet kriminale sa i përket prodhimit, trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Gjatë fjalës së tij, ministri Balla se duhet të rriten penalitetet që lidhen me parashikimet e Kodit Rrugor brenda parametrit të sigurisë në shkolla.

Taulant Balla: Sfida më e madhe qasja që duhet të kemi ndaj drograve sintetike. Të rrisim forcën tonë parandaluese në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla. Parandalimin e aksidenteve rrugore. Qasja jonë është të rrisim penalitetet që rriten me parashikimet e Kodit Rrugor brenda parametrit të sigurisë në shkolla. Kur një shkelje rrugore ndodh brenda parametrit në shkolla, duhet të jetë një penalitet dyfish më i lartë. Kur tejkalon shpejtësinë afër një shkolle, nuk mund të ndëshkohesh aq sa parashikon kodi, nuk mjafton. Kur tejkalon shpejtësinë pranë një shkolle, nuk mund të ndëshkohesh vetëm me penalitetin që të përcakton Kodi Rrugor, gjobë apo ulje pikëve në patentë. Nuk mjafton. Kur kalon me shpejtësi pranë oborrit të shkollës, tek hyrja e shkollës, ti je në limitet e kryerjes së një vepre të rëndë penale në vlerësimin tim. Natyrisht që do i takojë Kuvendi që ta diskutojë këtë.

Më tej, ministri Balla ka thënë se duhen penalizuar dyfish të gjithë ata shoferë që parakalojnë me shpejtësi autobusin apo mikrobusin me fëmijë shkollash teksa ka shtuar se për këta, ndëshkimi duhet të jetë ekzemplar.

Taulant Balla: Ne duhet të jemi të ashpër ndaj çdo shkelësi të normave të qarkullimit rrugor pranë shkollave. Kur parakalon në mënyrë të papërgjegjshëm mikrobusin apo autobusin e fëmijën nuk mund të penalizohesh njësoj, të jetë dyfish më i fortë që kur të jesh duke drejtuar mjetin tënd dhe para teje të jetë mikrobusi i shkollës. Kushdo që parakalon mikrobusin ta ketë 2 herë më shumë frikë se mjetin e ministrit apo kryeministrit. Çdo shkelje që përfshin në ndonjë incident rrugor mjetin ku lëvizin fëmijët që shkojnë në shkollë, ndëshkimi duhet të jetë ekzemplar. Vetëm kështu garantojmë një siguri më të madhe. Duhet të jemi parandalues.