Kampionati i hedhjes nga shkëmbi po shkon drejt fundit dhe tashmë janë përcaktuar edhe kampionët. Bëhet fjalë për Rhiannan Iffland dhe Gary Hunt që mbrojtën titujt e tyre në kategorinë e femrave dhe të meshkujve.
Gjithçka ndodhi në etapën e parafundit të këtij kampionati në Bosnje Hercegovinë, ndërkohë që evenimenti do të mbyllet në Bilbao të Spanjës në 14 shtator.
Në kategorinë e femrave, Iffland, që e fiton titullin në hedhjen nga shkëmbi për herë të 6 në karrierë, ishte dominuese në garën e zhvilluar në urën Stari Mori, të Bosnjës, teksa në fund grumbulloi 385 pikë duke lënë në vendin e dytë amerikanen Eleanor Townsend, me 288.9 pikë, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Lysanne Richard, me 284.7 pikë.
Kur ka mbetur edhe një garë nga fundi i evenimentit, Iffland është në kuotën e 1000 pikëve në renditjen e përgjithshme, e shkëputur ndjeshëm nga Jessica Macaulay dhe Jana Nestsiarava me 540 dhe 510 pikë.
Për meshkuj, ai që shkëlqeu në Bosnje ishte rumuni Popovici që mori 5 vlerësime me notën 10 duke e mbyllur këtë garë në vendin e parë, me 448.9 pikë, i ndjekur në vendin e dytë nga Gary Hunt, me 426.9 dhe Jonathan Paredes në të tretin.
Por vendi i dytë nuk e pengoi britanikun Hunt të fitojë sërish kampionatin e hedhjeve nga shkëmbi teksa në përfundim të ndalesës së para fundit e sheh veten në kuotën e 960 pikëve në total, 370 pikë më shume se Paredes në vendin e dytë.