Sport Kampionët e vitit 2018

Kampionët e vitit 2018

2018-ta ishte viti i Briken Çaljas. Në peshën 69 kg, peshëngritësi shqiptar u “mbulua në ar” në Europianin që u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë në muajin mars. Me 146 kg në shkëputje, 175 në shtytje dhe 321 kg në total, Çalja fitoi 3 medalje të arta përfshirë këtu edhe dygarëshin, duke regjistruar një arritje të madhe për peshëngritjen shqiptare. Megjithatë Çalja nuk shkoi më shumë se vendi i 7-të në Botërorin që u zhvillua në Turkmenistan në nëntor dhe për këtë shkak u bënë edhe disa dëmtime të pësuara më herët.

 

Gjetan Keta nuk di të ndalet. Në 8 shtator të këtij viti, luftëtari nga Bulqiza pushtoi ringun e Dibrës së Madhe, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Gjetani mposhti pas 5 raundeve boshnjakun Sladan Janjanin, duke bërë të tijin titullin e WBU, federatës më të vjetër në botë në boks. Në arenën e Dibrës së Madhe, mbrëmjen e 8 shtatorit shkëlqeu edhe Ferit Keta, i cili mposhti në 4 raunde turkun Karakus, duke regjistruar fitoren e tij të 11-të në 11 ndeshje në boksin profesionist.

 

Jurgen Uldedaj fiton titullin kampion bote në WBO Junior. Gjithçka kulmoi me suksesin e Jurgen Uldedaj ndaj argjentinasit Nicolas Leandro Arganaraz, në ndeshjen e zhvilluar në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës. Boksieri lezhjan u shpall fitues pas 10 raundesh me një vendimin unanim të jurisë, duke fituar me pikë duelit ndaj rivalit të tij dhe duke vënë në brez titullin e kampionit të botës në kategorinë WBO Junior.

 

Luiza Gega e pafat. 2018-ta ishte një vit pozitiv për atleten shqiptare që gjithsesi nuk arriti të merrte medalje në Kampionatin Europian të zhvilluar në Berlin të Gjermanisë. 29-vjeçaria, edhe pse bëri një paraqitje fantastike në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra, në fund u rendit vetëm e 4-ta, duke mbetur jashtë podiumit, edhe pse ishte gjatë gjithë kohës në vendet e para të renditjes.

 

Ky vit do të mbahet mend gjatë edhe nga atleti shqiptar në kërcim së gjati Izmir Smajlaj.Shkodrani fitoi dy medalje të arta fillimisht në Ballkaniadën e sallave të mbyllura, të zhvilluar në Stamboll dhe më pas në Europianin e shteteve të vogla, të zhvilluar në Lihtenshtejn. Gjithsesi Smajlaj dështoi të merrte medalje në Kampionatin Europian që u mbajt në Berlin të Gjermanisë, duke u renditur vetëm në vendin e 6-të, pasi kërceu 7 metra e 99 centimetra, duke mos mbrojtur dot titullin e fituar në Beograd një vit më parë. Pas përfundimit të Europianit të atletikës në Berlin, Smajlaj akuzoi gjyqtarët në garën e kërcimit së gjati se i manipuluan rezultatin.

 

Në basketbollin e meshkujve, 2018-ta i buzëqeshi Tiranës. Bardheblutë fituan titullin e 20-të në histori pasi mposhtën në finale Teutën, në një duel shumë të rivalizuar, i cili u zgjidh vetëm në ndeshjen e 5-të play-off . Falë suksesit 68-60 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Tirana mbrojti titullin kampion në basketbollin e meshkujve, duke u hakmarrë ndaj Teutës për atë disfatë në Superkupën e Shqipërisë.

 

Në basketbollin e femrave nuk kishte sërish histori me Flamurtarin që vazhdon të dominojë prej më shumë se 1 dekade. Skuadra e Viron Toskës mposhti 3-0 me ndeshje Tiranën në finalen e play-offit duke fituar titullin numër 22 në histori dhe trofeun e parë sezonal për 2018-ën pasi në Superkupë dhe në Kupën e Shqipërisë triumfet ishin të bardhebluve.

 

Në volejbollin e meshkujve u ngjit në piedestal Erzeni. Skuadra shijakase fitoi titullin kampion, një trofe që i mungonte prej plot 19 vitesh. Falë suksesit 3-1 me ndeshje në finalen e 4-t, Erzeni festoi një titull kampion të merituar duke lënë sërish thatë skuadrën e Ylli Tomorit. Për Erzenin ky ishte titulli i 4-t në histori.

 

Në volejbollin e femrave ishte viti i Partizanit “Të kuqtë” shkurorëzuan më në fund skuadrën e Barleti Volley. Pas 64 vitesh vajzat e kuqe fituan titullin kampion, pasi mposhtën 3-0 me ndeshje në finalet e play-offit, Barletin, duke i rikthyer një titull kampion që Partizanit i mungonte prej plotë 64 vitesh. Skuadra e trajnerit Tarja e mbylli në mënyrë perfekte 2018-ën, pasi fitoi edhe Kupën e Shqipërisë.

 

Pas tre finaleve të humbura, 2018-ta ishte viti i Bashkimit në basketbollin kosovar. Skuadra prizrenase mposhti në finalen e madhe të play off-it 3-1 me ndeshje kampionët në fuqi të Sigal Prishtinës, duke i shkurorëzuar pas plot 4 sezonesh. Një sukses i merituar për Bashkimin, që fitoi titullin e parë në histori në basketbollin kosovar pas 3 dështimeve në finale, ndërsa siguroi edhe pjesëmarrjen në turet kualifikuese të FIBA Champions League, ku Federata e Kosovës u ftua për herë të dytë radhazi.

 

2018-ta ishte viti i Polonisë në volejbollin e meshkujve. Përfaqësuesja polake mbrojti titullin e fituar 4 vjet më parë pasi mposhti sërish në finale Brazilin, duke bërë surprizën në kompeticionin që u zhvillua në Itali dhe Bullgari. Një sukses i merituar i djemve polakë me shifrat 3-0 me sete, në një ndeshje ku shkëlqeu volejbollisti Kurek autori i 24 pikëve. Ky ishte suksesi i dytë radhazi dhe i treti në një Botëror për Poloninë.

 

Serbia triumfon në volejboll për femra. Në Botërorin e volejbollit të femrave që u organizua në Japoni kishte festë për Serbinë. Vajzat ballkanase papritur u kthyen në surprizën e vërtetë të këtij turneu, pasi e fituan për herë të parë në histori teksa mposhtën në një finale spektakolare 3-2 me sete Italinë.

 

Në NBA nuk kishte surpriza. Golden State triumfoi për herë të tretë në 4 vitet e fundit pasi kaloi lehtësisht 4-0 Cleveland Cavaliers në serinë e finaleve të mëdha. Më shumë vështirësi Stephen Curry, Kevin Durant, Klay Thompson e Draymond Green hasën në finalen e konferencës së Perëndimit atë ndaj Houston Rockets të cilën e fituan vetëm në ndeshjen e 7-të.

 

Në Euro Leaguen e basketbollit, në shkallën më të lartë të podiumit, edhe në 2018-ën u ngjit Reali i Madridit. Los Blancos e fituan për herë të 10-të në histori këtë kompeticion pasi kaluan në finale me rezultatin 85-80 turqit e Fenerbahce Dogus. Në finalen e madhe, por edhe në Final Four-in që u zhvillua në Beograd të Serbisë lojtari më i mirë u shpall slloveni i Realit Luka Doncic, që aktualisht luan me Dallas Mavericks në NBA.

 

Djokoviç rikthehet në majë, në tenis për meshkuj. 2018-ta nisi mirë për Roger Federer që fitoi Australian Open, vazhdoi me suksesin e të përhershmit Rafael Nadal në Roland Garros dhe u mbyll me fitoren e dyfishtë të Novak Djokovic në Wimbledon dhe US Open, me tenistin serb që pas një periudhe të errët, u rikthye të jetë numri 1 në renditjen e ATP.

 

Vit i balancuar për tenisin e femrave. Te femrat në 2018-ën nuk kishte një teniste që bëri diferencën. Gjithçka nisi me suksesin e danezes Caroline Wozniacki në Australian Open, për të vijuar me triumfin e rumunes Simona Halep në Roland Garros. Në Wimbledon festoi gjermania Angelique Kerber, ndërsa në US Open fituese u shpall japonezja Naomi Osaka.

 

Në Superbowl fati i buzëqeshi skuadrës së Philadelphia Eagles. Këta të fundit mposhtën në finalen e madhe New England Patriots me rezultatin 41-33. Ky ishte titulli i parë në Superbowl për skuadrën nga Pennsylvania dhe i 4-ti në futbollin amerikan, në historinë e Philadelphia Eagles.

 

Në National Hockey League festoi Washington Capitals. Skuadra kryeqytetase fitoi për herë të parë në histori “Stanley Cup” pasi mposhti në finalen e madhe të play-offit lehtësisht 4-1 me ndeshje skuadrën e Vegas që ishte formuar vetëm 1 vit më parë por falë investimeve të mëdha arriti deri në finale.

 

Në Formula 1 triumfoi i përhershmi Lewis Hamilton. Piloti anglez i Mercedes fitoi titullin e tij të 5-të në karrierë, në një sezon ku rival kishte gjermanin e Ferrarit, Sebastian Vettel, por vetëm në gjysmën e parë të Botërorit të Formula 1, sepse më pas kampionati u dominua nga Hamilton, i cili e mbylli sezonin me 88 pikë më shumë se kundërshtari i tij. Titulli i konstruktorëve shkoi sërish për Mercedesin që fitoi sfidën me Ferrarin.

 

Në Moto Gp, edhe 2018-ta foli spanjisht, me Marc Marquez që vazhdon të fitojë. 25-vjeçari nga Aragon e dominoi nga fillimi e deri në fund kampionatin botëror duke fituar titullin e tij të 5-të në klasin mbretëror të garave me motorë dhe tashmë Marquez është vetëm dy kampionate larg Valentino Rossit dhe duke parë moshën e re të spanjollit, rekordet e Doktorit janë të gjitha për tu thyer. I dyti në klasifikimin e përgjithshëm u rendit italiani Andrea Dovizioso ndërsa podiumi u kompletua nga Valentino Rossi.

 

Nuk ka surpriza as në Rally. Edhe në kampionatin Botëror të garave me makina Rally, ligjin e bën vetëm një pilot dhe ai është francezi Sebastian Ogier. Piloti i Ford me makinën e tij, Ford Fiesta, fitoi titullin 6-të radhazi në Rally, duke lënë pas me 18 pikë distancë në klasifikimin e përgjithshëm belgun e Huyndai, Thierry Neuville.

 

Në çiklizëm 2018-ta ishte viti i britanikëve. Të tre turnetë e mëdhenj, të quajtur ndryshe Grand Tour, u fituan nga tre çiklistë nga Britania e Madhe. Në turin më të rëndësishëm çiklistik, Tour de France, fitues u shpall 32-vjeçari Geraint Thomas, i cili i surprizoi të gjithë. Në Vueltan e Spanjës fati i buzëqeshi anglezit Simon Yates, ndërsa Chris Froome u mjaftua vetëm me Giro D’Italian, turin e vetëm të madh çiklistik që i mungonte palmaresit të tij.