Aktualitet Kampioni i pashpallur, peshëngritësi memaliot, Bardhyl Karalliu, që sot do të ishte...

Kampioni i pashpallur, peshëngritësi memaliot, Bardhyl Karalliu, që sot do të ishte një mit, një legjendë!

Sa më shumë të ikin vitet, aq më shumë na mungojnë, jo vetëm të afërmit, miqtë dhe shokët e mirë që jetojnë larg, por edhe ata që jetojnë në jetën e përjetshme. Dëshmitari më i mirë për të na e treguar këtë fakt është vetëm koha! Kam kohë, që kam menduar të shkruaj për shokun tim Bardhyl Karalliu, i cili u nda nga kjo jetë në moshën 18-vjeçare.

Bardhi u lind më 28 Mars të vitit 1970-të, me prindër Melpo dhe Dhimitër Karalliun. E ëma e tij është me origjinë nga fshati Bodrishtë i Dropullit, ndërsa babai i tij, me origjinë nga Frashëri i Përmetit, të cilët kanë ardhur për të punuar dhe jetuar në Memaliaj, në vitin 1954. Si fillim kanë banuar 6-muaj me familjet e para në Karaule, përtej lumit Vjosë dhe më pas kanë ardhur në Memaliaj ku morën shtëpi tek ndërtesat e ulta prej guri, që ishin ndërtuar tek Lagjja: “Xhelita”.

Familja e Dhimitër Karalliut, u bë më e madhe, me ardhjen në jetë edhe të fëmijëve të tyre, të cilët quhen; Jorgo, Rina, Vango, Xhuli dhe Bardhyli. Xha Dhimitri ka punuar në Sektor të III-të dhe nga kushtet e vështira të punës, u sëmur dhe doli në pension parakohe si invalid, ndërsa nënë Melpua ka punuar si llambistere, në “Llambisterin e Sektorit 250-të”.

Bardhyli, si fëmija më i vogël i familjes, ishte gjithmonë nën kujdesin e të gjithëve dhe i përkëdhelur, duke i përjetuar të plotësuara më së shumti e dëshirat brenda mundësive të kohës. Kam shumë kujtime me Bardhin. E kemi nisur shoqërinë, kur ai ka qenë 14-vjeç dhe vinte shpesh të stërvitej nga “Palertsa Verore” që kishte hapur Cino Muçoziaj dhe Afuz Halili, në një shesh të vogël midis rrepishteve ku ndaheshin kufijtë e “Kapmit dhe të Kasaphanës”, në juglindje të përqafimit që na dhuronte lumi Vjosë. Aty vinte shpesh edhe Bardhi, pasi përveç më të rriturve si: Maksim Shehu, Cino Muçoziaj, Afuz Halili, Bushi Sula, Albert Malka, Ilir Çibuku, Koço Koçi, Babo Kalemi, Sulo Kanani, Lao Bodeci, Përparim Meta, Leonard Malaj, Agim Ismailati, Aristidh Laska, Ernest Çela, Albert Mirta, Pajtim Çela, Agron Kanani, Vladimir Lika Komneni, Arben Çibuku, Namik Shehu, Arjan Bodeci, Leonidha Duka, Engjëlli Lika Komneni, Edmond Ismailati, …etj, stërviteshin edhe bashkëmoshatarët e tij si: Adriatik S. Shehu, Julian Meçe, Adriatik Mirta, Adriatik Mema, Genti Hoxha, Shpëtim Çuku, Elton Ballaxhiaj …etj. Edhe pse ishte 3-vjeç më i vogël se unë, e respektoja pa menduar moshën, për shak të moshës si më i madh që isha. Ishte një djalë shumë i sjellshëm dhe i respektuar, shumë zemërgjerë dhe djalë trim, i cili gjithmonë shikonte punën e tij dhe nuk i binte askujt në qafë, edhe pse ishte shumë i bëshëm fizikisht për moshën që kish. Ai mund të përballonte çdo moment edhe nëse do të ndeshej edhe me më të mëdhenj në moshë dhe të fortë fizikisht.

Edhe pse në atë kohë, të gjithë ata memaliotë që merreshin me stërvitje, si ajo e peshëngritjes dhe atë të boksit, shikoheshin me një sy tjetër dhe ishin gjithmonë nën survejimin e sigurimit të shtetit që mbështeteshin edhe nga AGBV-ja (Anëtar i grupit të bashkimit vullnetar). E gjithë kjo vigjilencë e këtyre organeve, ndodhte, pasi mendonin se të gjithë këta të rinjë që po stërviteshin, do të tentonin të arratiseshin me mundësinë e parë që do t’iu krijohej. Kjo do i shkaktonte pasoja edhe Bardhyl Karalliut, të cilit iu bë pengesë për të realizuar ëndrrën e tij si çdo sportistë.

Edhe pse në moshë shumë të re, ai vendosi të fillonte punë në “Sektorin Canaj”, një nga repartet e jashtme të minierës. Stërvitej çdo ditë me orë të tëra, jo vetëm tek “Palestra Verore” buzë lumit Vjosë, por edhe në oborrin e shtëpisë së tij, në rastet kur vinte vonë nga puna. Këtë e shikoja saherë që kaloja nga shtëpia e tij, pasi e linim të dilnim ndonjë pasdite. Përpara shtëpisë së tij, ndodhej një pemë mani i bardhë dhe i shëndetshëm. Këtë e tregonte jo vetëm trashësia e trungut të tij, por edhe kur ky i fundit bëhej më tresh dhe këmbeheshin me njëri-tjetrin, sikur kishin vendusur të mbanin njëri-tjetrin, derisa kurora e tyre të mbulonte edhe oborret e komshinjve. Si zakonisht, përveç qerasjeve me karamele, llokume apo ndonjë gliko që më qeraste sa herë që shkoja, i kërkoja nënë Melpos të më qeraste me ndonjë gotë pekmezi prej manit apo thane, nëse i kishte ngelur. Duke pirë ndonjë gllënjkë pekmezi e duke biseduar me Bardhin që stërvitej. Herë merrte shtangën që qëndronte varur në një sajesë midis trungjeve të manit dhe herë-herë, merrte edhe një kavo që u kishte sajuar nga një dorrezë në skajet e saj dhe pasi kalonte nëpër kavo dy rrota vagoni (ndonjëherë edhe tre), e rrotullonte në ajër dhe dukeshin si helkë helikopteri. Shpatullat e tij, dukeshin sikur dyluftonin dhe i zinin vendin njëra-tjetrën, pasi nga rrotullimet e shpejta dhe me peshë, futeshin dhe dilnin duke krijuar pamjen e një gladiatori. Të them të drejtën, kisha frikë, se po t’i shpëtonin nga duart, një Zot e dinte se çfarë mund të ndodhte, jo vetëm me mua që isha disa metra larg, por edhe godinës së shtëpis së tij dhe më tej.

Bardhyl Karalliu, në ditën e parë të shkollës së klasës së parë

Çdo ditë që kalonte, Bardhin e tregonte më të qeshur dhe më në formë fizikisht. Këtë e shikoje jo vetëm në buzëqeshjet e tij plot çiltërsi që të linin të kuptoje se njihnin edhe brendinë e shpirtit të tij, por edhe me muskujt e trupit të tij që sa vinin dhe pagëzoheshin theksueshëm, me prerjet që dalloheshin nga njëra-tjetra dhe i jepnin imazhin e një kampioni të ardhshëm. I shprehja mendimin tim inkurajues, se duhej të bënte përpjekje për t’u bërë pjesë e ndonjë klubi të kategorisë së I-ë, pasi në rrethin e Tepelenës nuk kishte ekip për peshëngritjen. Pas 6-muajsh, shkëputet nga puna dhe shkon në Tiranë, për t’u stërvitur me ekipin e moshave të reja të peshëngritjes së klubit sportiv “Partizani”. Po në këtë klub sportiv, stërvitet për disa muaj rresht dhe rikthehet në vendlindje, pasi e pa të pamundur realizimin e ëndrrës së tij. Ai dukej një sportist premtues tek sytë e drejtuesve të klubi, madje këtë e kam dëgjuar edhe kur kam fjetur një natë në dhomën e tij që ndodhej në një nga ambientet e këti klubi.

Në kthim e sipër, ndalon në Kavajë dhe vjen të më takoj në fshatin Peçinaj, ku unë po kryeja shërbimin ushtarak. Ishte hera e dytë që më vizitonte, pasi herën e parë e kishte bërë kur isha në muajt e karantinës. Kësaj here ishte i dëshpëruar në kulm dhe ishte hera e parë që e shikoja në atë gjendje shpirtëror! Kur e pyeta për të mësuar arsyet e kthimit të tij në Memaliaj, si m’u përgjigj: “Do shumë miq të fortë, por edhe familja duhet të shikohet me sy të mirë nga më të fortët.”. Për momentin u ndie pushtimi i heshtjes, por më pas vazhduam bisedën ku mësova edhe detajet. Përgjatë një grumbullimi diku në Lezhë a në Laç, (nuk e mbaj mend mirë), që zhvillohej për të përzgjedhur peshëngritësit që do të përfaqësonin kombëtaren e kësaj grupmoshe, Bardhit i bëheshin pyetje të çuditshme që kishin të bënin me origjinën e familjes së tij: Si kishte kaluar fëmijërinë e tij? Cilat ishin ëndrrat për të ardhmen e tij, pasi të largohej nga ky sport dhe a do kishte dëshirë të kthehej në vendlindje dhe t’iu kthehej punës që la në minierë? Këto pyetje të qëllimta, por shumë të kujdesshme, që bëheshin nga biseda “të lirshme”, me drejtues të klubit, trajnerë, e deri tek ata që stërvitej çdo ditë, prisnin një përgjigje që hetohej sipas psikologjisë së sigurimit të asaj kohe. Ata e dinin fort mirë të kaluarën e Bardhit dhe të familjes së tij, pasi ai rregjim nuk e kishte aspak të vështirë të mësonte çdo detaj që lidhej me jetën e çdo individi apo familjeje. Ata e dinin që Bardhi dhe familja e tij ishin greqishtfolës dhe se nëna e tij, Melpua, ishte dropullite.

Ata e dinin gjithashtu që ai shoqërohej me ata të rinj memaliotë që stërviteshin rregullisht në sportin e peshëngritjes dhe herë-herë në atë të boksit, madje që survejoheshin nga sigurimi i shtetit të asaj kohe. Frikësoheshin nga qetësia dhe buzëqeshja e tij që i pushtonte gjithmonë fytyrën, shprehje këto që ua bënin më të vështirë zbërthimin e mendimeve të tij, të pashprehura. Edhe pse ishte i dashuruar me një vajzë shumë të bukur, ku të gjithë e dinin sikur ishte i fejuar, pasi familjet ishin në dijeni dhe pritej me ditë të bënin pagëzimin zakonor, u dukej sikur ky ishte një hapë i matur dhe një peng në dukje që do ta bënte Bardhin të kthehej, nëse do të merrte pjesë në Ballkaniadën që do zhvillohej. Ai i kapi normat e kërkuara, por u skualifikua me pretekstin se ishte 1-kg më shumë në peshën trupore, në proporcion me peshën që ngriti, dhe se kjo gjë s’i dha avantazh për të kapur standardet sipas kritereve të përcaktuara në këtë sport. Për këtë arsye, u përzgjodhën të tjerë, ku një prej tyre ishte edhe Piro Dhima, edhe pse ishte një vit më i vogël. Ky i fundit e kishte filluar stërvitjen me “17-Nëntorin”, që në moshën 11-vjeçare dhe me trajner të rregullt dhe me programe stërvitore që stërviteshin edhe peshëngritësit perëndimor, ndryshe nga Bardhyl Karalliu, i cili, edhe pse e kishte filluar stërvitjen në moshën 13-14 vjeçare e në kushte të vështira, jo vetëm nga kushtet jo të mira të ambientit stërvitor, por edhe pa trajner, pa programe stërvitore, mungesës së dietës të lartë të ushqimit dhe kujdesit për të zbatuar një regjim të fortë ditor. Padyshim, që në këtë përzgjedhje, përveç të dhënave të Pirros si një sportist i mirë dhe me të ardhme, i rritur në Tiranë dhe aq më shumë në një klub sportiv, por ka ndikuar shumë edhe simpatia që kishte fituar familja e tij në sytë dhe veshët e atij regjimi. Bardhi u prek shumë nga ky diskriminim dhe si e tillë, përgjatë një debati që u shkëmbye me ata që e grumbulluan, ai edhe i ofendoi dhe u kthye në Memaliaj. Më vonë, Pirrua, i cili, edhe pse ishte më i shkurtër dhe më i imët se Bardhi, filloi të thyente rekorde kombëtare dhe ndërkombëtare.

Padyshim që peshëngritësin memaliot Bardhyl Karalliun e ka dëmtuar shumë ndonjë dosje e dërguar nga sigurimi i shtetit të rrethit të Tepelenës, që ishte bazuar gjithashtu edhe nga spiunët  e lindur vullnetar, por edhe ata të detyruar nga rrethana të ndryshme rekrutuese që u krijonte sigurimi i shtetit në atë kohë. Bardhi, si çdo memaliot, kishte zgjedhur këtë sport dhe stërvitej, jo për t’u arratisur, siç dyshohej shpesh për këta të rinj, por ishte thjesht një pasion i moshës.

Fati është i shkruar, prandaj nuk i shmangemi dot. Disa janë hyjnorë dhe engjëllor, disa të tjerë janë dinakë, puthadorë e djallëzorë. Për të fundit, toka është parajsa, ndërsa për të parët, lindin dhe rilindin me misionin për të shpëtuar individë, familje, komunitete dhe kombe në situata të vështira dhe momente të caktuara, madje u shpëtojnë edhe jetën duke mos kursyer as jetën e tyre. Kështu ndodhi edhe me jetën e Bardhyl Karalliut, i cili ndërroi jetë më 5 Shtator të vitit 1988-të. Bardhi u tregua fisnik, pasi eci me kodin memaliot që: “Miqtë dhe mysafirët, jo vetëm respektoheshin, por edhe mbroheshin, derisa të mësohet se tek kush familje kanë ardhur, arsyeja e lindjes së keqkuptimit dhe deri tek largimi të tyre në paqe nga familja dhe qyteti i memaliotëve.” Për më tej t’i dalin zot vetes. Memaliotët e kanë zbatuar këtë dhe ishin shumë të kujdesshëm kur krijohej ndonjë konflikt me të fytyrat e reja, misafirët apo miqtë. Kjo ndodhte, pasi vërtetë ishim një qytet mbi 10 mij banorë, por 99% e banorëve, jetonin me harmoninë e një familje të madhe. Ndyshe në Tepelenë, nëse lindte konflikti, do të sulmoheshe nga të gjithë, siç i thonë ndryshe, fshaçe. Disa lexues edhe mund mos t’iu vijë mirë por këtë realitet e kam të përjetuar unë dhe shumë memaliotë të tjerë dhe ndoshta në një shkrim, do ta shtjelloj këtë fenomen të asaj kohe.

Edhe Bardhi, për t’i qëndruar besnik këtij kodi fisnik, mori në mbrothe një shokun e tij, tepelenasin, Tërmet Peçi, edhe pse ky i fundit ishte pak më i vogël në moshë dhe vinte shpesh e stërvitej tek “Palestra Verore”, ku stërvitej edhe Bardhi. Për mos u zgjatur në këtë shkrim përkujtimor që përkon me ditëlindjen e Bardhyl Karralliut, Tërmet Peçit, i kishte lindur një konflikt me anën të një keqkuptimi me një memaliot. As sot nuk e kam mësuar zanafillën që e shndërroi në tragjedi ditën e 5 shtatorit që i mori jetën Bardhit, nga një goditje me thikë në zemër prej një memalioti tjetër, i cili ishte i dehur dhe i mungonte gjykimi prej konsumit ekstrem të alkoolit, gjendje e tejet e rënduar kjo që detyron këdo për të thyer edhe kodet etike dhe biblike. Edhe pse Bardhi vrapoi për 1.5 km, me dorën në zemër drejt spitalit, nuk mund të rikthehej në këtë jetë. Kjo ndodhi, pasi Bardhi besoi tek kodi i pashkruar, atij shpirtëror!

Unë isha duke kryer shërbimin ushtarak, kur mësova këtë lajm tragjik. E kisha porositur disa herë, jo vetëm ditën para se të ikja ushtar, por edhe kur vinte për të më takuar. E këshilloja që të mos rrëmbehej nga konfliktet e momentit apo të keqpërdorej çiltërsia e tij nga të tjerët. Shprehem kështu, pasi ka patur raste që ai edhe mund të përfshihej, kur unë jam përfshirë në ndonjë keqkuptim, por se kam lejuar, pasi më ka dëgjuar. Të njëjtën i këshilloja edhe Adriatik Shehut, pasi mund të shfrytëzohej çiltërsia e tyre nga njerëz llafazanë, zevzekë, mistrecë, frikacakë, qaramanër, qurashë …etj. Në rastin e T.P-së, konsiderohej shoku ynë dhe nuk mund të lihej i vetëm dhe të torturohej nën breshërinë e levave prej hekuri, dorezave të plumbta apo prej fibre të dhëmbëzuara, goditjeve me tulla, …etj, pasi në sportin e boksit, T.P-ja ishte shumë i fortë dhe për momentin i përballonte edhe pse ata ishin tre. Këtë ngjarje e kam përshkruar tek shkrimi im “Kthesa e vdekjes”, që e kam mbaruar së shkruari, këtu e dy vjet më parë dhe do ta publikoj në një nga ditët e ardhshme.

Nuk e kisha vënë në dyshim, por këto ditë, diçka më shqetësonte në mendime, madje e përgjatë kësaj jave që po shkruaja këtë shkrim, e pashë Bardhin edhe në ëndërr të rrethuar me shumë memaliotë. Ata ishin afërsisht 20 memaliotë dhe në krahë të rrethit që kishin formuar me bisedën e tyre, ishte dhe i ndjeri Arben Merdani, apo siç njihej tek memaliotët, Beni Behares. Ky i fundit po përleshej me dy të tjerë dhe ngaqë mendova se po ziheshin, u fola, por Beri Behares më foli duke qeshur, për të më lënë të kuptoja se bënin shaka. Ja tregova këtë ëndërr motrës së Bardhit, Xhulit dhe e pyeta gjithashtu: “A ka ardhur Tërmet Peçi në funeralin e Bardhit për t’i dhënë lamtumirën fundit?” Ajo më përgjigjet: “Jo vetëm që nuk kanë ardhur në atë ditë, as ai dhe as të familjes së tij, por as në banesën e fundit që prehet Bardhi, nuk ka shkuar për t’i kërkuar falje, pasi Tërmeti u bë shkak, që ai humbi jetën! Këtë peng e kanë vuajtur edhe prindërit e mi, pasi asnjëherë nuk është takuar nga Tërmeti dhe familja e tij!”

Sinqerisht, nuk u ndjeva mirë për momentin kur mësova këtë përgjigje, por nga ana tjetër, u çlirova nga një peshë shpirtërore që më shoqëronte prej shumë kohë! Ndoshta duhej të vinte ky moment për ta mësuar, pasi shpirtrat e pastër nuk nguten për të na vënë në dijeni, pasi 30-vjet në këtë jetë, janë si 30-minuta në dimensionin e jetës tjetër; pra në atë të jetës së përjetshme. Shpirtrat komunikojnë shumë me ne që jetomë në këtë botë të gënjeshtërt dhe në jetën e tyre të botës së vërtetë. Ngaqë kam shumë eksperienca paranormale (dhe një ditë do t’i publikoj, për t’i bërë pjesë e një botimi), vendosa ta përfshi në këtë shkrim edhe çfarë mësova nga e motra e Bardhit, një të vërtetë të hidhur, pasi është shpirti i tij, ai që na jep shenjat në kohën e duhur, për të dhënë edhe ai një mesazh për njerëzit dhe jetën që ai jetoi në këtë dimension!

Familja Karalliu

Sa herë që vjen 28 Marsi, më kujton, jo vetëm ditëlindjen e Bardhit, por edhe ditën që ai ka ardhur për ta festuar me mua. Ishte vizita e tij e parë, kur unë isha në fillim të shërbimit ushtarak. Ishte vërtetë një ditë e veçantë, pasi Bardhi, bashkë me Adrtiatik S. Shehun, kishin ecur dy orë me këmbë nëpër rrugën e mbuluar nga balta dhe pellgaçet e panumërta që ende shoqëroheshin nga moti i keqë në atë kohë. Të dy kishin udhëtuar të shoqëruar nga një banor i fshatit ku ndodhej reparti, pasi ai ishte postieri që shkonte pothuajse çdo ditë dhe na sillte gazetat, letrat, telegramet dhe ndonjë kartolinë urimi që shkëmbenin për ndërrimin e viteve. Ai quhej Agron Byku, babai i shtatë fëmijëve që i rriste me shumë mundime, pasi nuk i ngopte dot me bukë. Kështu më shprehej sa herë që uleshim dhe bisedonim. I jepja diçka më shumë, jo vetëm sa herë që ai më sillte porositë që më blente kur shkonte në Kavajë, por edhe kur më sillte ndonjë letër nga të familjes apo të afërmit për t’u çmallur sadopak, por edhe letra dashurie që më shumë dërgoja sesa më mbërrinin në duar. Për këto të fundit, e akuzoja gjithmonë duke qeshur e duke i thënë: “Kujdes Gon Byku, se më duket, jo vetëm që m’i lexon letrat, por m’i hedhë edhe kanaleve … Ke dopjo bakshish për çdo postë.”! Pastaj qeshnim … Ishte burrë i mirë dhe e pranonte shakanë, pasi edhe ne që e njohim me mbiemrin Byku, nuk e kishte të tillë, po ishte vetëpagëzuar, më shumë për të fituar simpatinë tek ushtarët. Kur Argon Byku më vjen me vrap dhe me një gëzim madh që ia shtonin në dukje akoma më shumë frymëmarrjet, më shprehet: “Nuk e merr me mend se sa do gëzohesh,… dhe drejton dorën nga Bardhi dhe Tiku që ishin disi të fshehur, sipas porosisë së Agronit.”

Nuk kishte gëzim të më të madh! U takuam duke shoqëruar përqafimet me të qeshurat tona të forta dhe dalluese nga njëri-tjetri. Agron Byku, na mori në shtëpi, pasi në repat nuk lejohej dhe jashtë bënte ftohtë. Përveç gatimeve të çastit, në trapezë u vendosën edhe ushqimet që kishte sjellë Bardhi me Tikun dhe së bashku uruam dhe festuam edhe ditëlindjen e Bradhit. Agroni donte t’i mbante të flinin tek shtëpia e tij e thjeshtë dhe e pastër dhe të nesërmen të udhëtonin së bashku, por ata vendosën të largoheshin, pasi jo vetëm vend nuk kishte, por duhej të mbërrinin në Kavajë pa u errësuar.

Një ndër kujtimet e shumta që më shoqëron gjithmonë, është edhe ajo e xhiboksit dy ngjyrësh dhe sportive, që i kisha qepur Bardhit. Për të më respektuar me anë të një surprize të këndshme, i ishte lutur njërës prej motrave të tij, që t’i qëndiste me fije të argjendë mbi krahun e majtë të pjesës së përparme të xhiboksit, frimën “Edis”, emër ky që formohej prej bashkimit të dy gërmave të para të emrit dhe të mbiemrit tim. Kujtime të tjera mbresëlënëse me Bardhin, i kam përfshirë edhe tek shkrimi im, “Fakte interesante nga rrethi i Tepelenës”, që është botuar në një nga numrat e gazetës “Ndryshe”, të vitit 2009.

Të shumta janë kujtimet që ndajnë bashkëqytetarët e tij, në një nga fotografitë që kam postuar në faqen e Memaliajt. Po shkëpus disa prej tyre, për t’ia bashkangjitur këtij shkrimi përkujtimor.

Arben Çibuku: “Ehhh …mor Bardhi sa vite kanë kaluar dhe pranë nesh je më i gjallë se kurrë, në kujtimet e bukura që le pas tek shokët, familjarët dhe gjithë memaliotët!!! Qofsh i paharruar në përjetësi Bardhi!!!

Tahir Kalemi:Bardhi ishte një djal plotë energji. Iku papritur në lulen e rinisë. I paharruar qoftë përjetë tek familjarët dhe memaliotët që e njohën.”

Vladimir Mala:Një djalë shembullor në çdo drejtim, që gëzonte respektin e të gjithë bashkëqytetarëve. Ai do të jetojë gjithmonë në memorjet tona!”

Flamur Shehu: “Bardhyl Karalliu, ishte një nga djemtë më të mirë në Memaliaj dhe një sportist i përgatitu, i cili premtonte shumë në peshëngritje!”

Adriatik Kalemi: “Bardhua ishte shok i mirë dhe djalë i mrekullueshëm, Kemi kujtime të bukura që nuk i harrojmë dot! Shprehem kështu, pasi njerëzit e mirë janë të pavdekshëm në kujtimet tona!”

Mimoza Durmishi: “Bardhi ngelet një nga djemtë më të mirë të lagjes tonë! Zoti e mori shumë shpejt. Bardhi ishte dhe ngelet një engjëll! I paharruar kujtimi i tij!

Marie Sela: “I pa harruar kujtimi i ti, jo vetëm për të familjes së tij, por edhe për të gjithë ne si memaliotë!”

Ana Hasani:Shoku i mirë në një moshë dhe paralel në shkollë! Bardhi, i paharruar qoftë kujtimi juaj!”

Aristidh Laska:I paharruar kujtimi i Bardhit! Djalë i mrekullueshëm! Në disa nga mbrëmjet përgjatë sistemit të kaluar, i kemi kaluar bashkë, pasi e merrja dhe bënim paralel, punonim me shtanga fshehurazi, pasi ishte e ndaluar në atë kohë. Isha më i madh në moshë dhe e respektoja për nga karakteri i tij dhe pasioni që kishte për të punuar si gjimmast dhe peshëngritës. Sa herë e pyesja për t’u stërvitur bashkë, vinte menjëherë. Ishte djalë i pangatërruar! I paharruar kujtimi i tij!”

Ilirjan Kallëmbi: “Edhe pse jam më madh se Bardhi, më ka rënë rasti ta njohë nga afër këtë gjigand të asaj kohe. Një djalë i çiltër, i mrekullueshëm, i nderuar, i papërtuar për të të ndihmuar. Një sportist plot pasion për sportin e peshëngritjes, i fuqishëm dhe me shumë energji, që rrallë gjeje në atë kohë! I paharruar në kujtimet e të gjithëve!”

Novrus Shehu: I paharruar kujtimi i Bardhit! Ishte një bashkëqytetar dhe shok shumë i mirë!”

Artan Tora:U rritëm bashkë në një lagje dhe kemi kaluar shumë mirë. Aq të shumta janë kujtimet e bukura, saqë edhe pas kaq shumë vitesh, akoma nuk na besohet se si u nda nga jeta Bardhi! Përjetë i paharruar kujtimi i tij!”

Sajmir Rakipi: “I paharruar, kujtimi i komshiut tim dhe i bashkëqytetarit tonë të mirë!”

Kujtimet e bukura të zgjasin jetën, aq më shumë me njerëzit e mirë që janë nga të afërmit, miqtë dhe shokët, të cilët edhe pse largohen fizikisht nga kjo jetë, në përjetësi shërbejnë në armatën e engjëjve tanë mbrojtës. Një prej tyre është edhe shoku im, Bardhyl Karalliu, i cili, jo vetëm në qiell, por edhe në tokë, jetoi si një engjëll mbrojtës!

Edhe pse kishe emrin e një prej mbretërve ilirë, Bardhylit, i cili nga një qymyrxhi e më pas kryengritës, që me anë të forcës dhe strategjisë së tij përgjatë luftimeve, arriti të bëhej edhe mbret, pasi ai dallohej edhe për drejtësinë e tij në ndarjen e drejtë dhe të paanshme të plaçkës së luftës, cilësi këto që i shtonin më shumë simpatinë dhe autoritetin tek luftëtarët ilirë., jetoi mbi 90 vjeç. Ndërsa Bardhyl Karalliu, nuk jetoi gjatë edhe pse e kishte zemrën të bardhë dhe i drejtë si vetë emri dhe mbreti Bardhyl; qymyrxhi si ky i fundit, rebel në shpirt ndaj regjimit komunist, i cili nuk u lejua nga këta të fundit që të realizonte ëndrrën e tij, ku sot do të mbahej mend si një mit në sportin e peshëngritjes, pra si një peshëngritës legjendë!

Gëzuar ditëlindjen Bardhi në përjetësi, pasi në Parajsë dhe pranë të Madhit Zot, festohet me madhështi!

Edmond Ismailati

Mars 28, 2018 / New York City