Kryeministri Edi Rama ka nderuar kancelaren gjermane, Angela Merkel me medaljen “Ylli i Mirënjohjes” gjatë vizitës që zhvilluan me njëri-tjetrin. Është vetë kryeministri që ka postuar në rrjetet sociale momentin e dhënies së medaljes Merkelit dhe ka zgjedhur ta falenderojë edhe në gjermanisht. “DANKE ANGELA”, shkruante kryeministri në videon e postuar në Facebook.
“Ky është Yll i Mirënjohjes dhe ky këtu është simboli i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, i cili mbrojti Shqipërinë nga pushtimi e u mbiquajt “Atleti i Krishtit” si mbrojtës i Krishtërimit. Kështu që mendoj se ju detyrohemi për këtë. Nuk do mbaj fjalim këtu se e di që ju nuk para i duroni ceremonitë ndaj vetëm le të mjaftohemi me foton”, i tha Rama kancelares gjermane.
Ndërkohë Merkel tha nga ana tjetër se ka qenë një gjë e mirë që ka punuar me kryeministrin shqiptar.
“Jam e vetëdijshme që është një nder i madh dhe ishte gjë e mirë për mua të punoja së bashku me ju”, tha ajo.