Një kandidat për t’u bërë pjesë e njësisë elitare të marinës amerikane, Navy SEAL, humbi jetën, ndërsa një tjetër përfundoi në spital, pas përfundimit të fazës stërvitore të quajtur “Java e ferrit”.
Marina amerikane tha në një deklaratë për mediat të dielën se Kyle Mullen, 24 vjeç, nga Nju-Xhersi, vdiq në një spital të Kalifornisë, pas stërvitjes. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, por hetimet vazhdojnë. Ndërsa kandidati tjetër është në gjendje të stabilizuar.
Sipas Marinës, viktima, kolegu i shtruar në spital, nuk ishin duke u stërvitur në momentin që nisën të shfaqnin simptoma. Por sipas raportimeve, simptomat nisën “disa orë” pas përfundimit të stërvitjes intensive.
“Java e ferrit” është pjesë e fazës së parë të procesit të përzgjedhjes dhe vlerësimit të kandidatëve të Navy SEAL. Gjatë pesë ditëve të stërvitjes intensive, kandidatët për t’u bërë pjesë e njësisë elitë të Marinës qëndrojnë vazhdimisht në të ftohtë, të uritur, pa gjumë dhe të lagur.