Bota ”Nuk jam shenjtor”, Papa Françesku: Kam nevojë për miq, kam pak, por...

”Nuk jam shenjtor”, Papa Françesku: Kam nevojë për miq, kam pak, por të vërtetë

Të dielën në mbrëmje Papa Françesku dha një intervistë të rrallë Fabio Fazio në “Che tempo che fa” (Rai Tre).

Intervista u zhvillua me lidhje satelitore nga studio e RAI në Milano me rezidencën modeste të Santa Marias ku jeton Papa në Vatikan. Ati i Shenjtë ka refuzuar të qëndrojë në apartamentet e izoluara, por me shumë hapësirë në pallatin papnor të Vatikanit, si paraardhësit e tij. Kjo, pasi siç thotë, nuk është shenjtor dhe se ka nevojë për miq.

I pyetur nëse ka miq, Papa u përgjigj se ka. “Nëse kam miq? Po, sigurisht. Kam pak miq, por ama të vërtetë. Më pëlqen të rri me ta. Kam nevojë për miq. Për këtë arsye nuk pranova të jetoj në pallatin papnor, prandaj jetoj në këtë hotel në Santa Maria. Papët që më paraprinë ishin shenjtorë, unë nuk jam dhe aq, nuk do t’ia kisha dalë. Këtu flas me ndonjë, bëj miq… më pëlqen të jetoj me njerëz të tjerë. Është më e lehtë”.

Papa Francesku zbuloi shijet muzikore dhe tha se kishte kërcyer tango. Kreu i Selisë së Shenjtë zhvilloi një vizitë të papritur në një dyqan disqesh muajin e kaluar, por siç rrëfeu jo për të bërë blerje, por për t’i dhënë bekimin sipërmarrjes së miqve të tij. Megjithatë ai tha se e donte muzikën, kryesisht ata klasike dhe tangon.

“Pikë së pari nuk shkova për të bërë blerje. Ata njerëz janë miqtë e mi prej vitesh dhe riorganizuan dyqanin. Shkova për t’i dhënë bekimin. Ishte natë, por një gazetar gjendej aty dhe prandaj lajmi u bë publik. Por është e vërtetë që unë dëgjoj muzike. Më pëlqen muzika klasike, por edhe tango”, u shpreh Papa.

I pyetur nëse kishte kërcyer tango gjatë rinisë së tij në Argjentinë, 85-vjecari tha se “kush nuk kërcen tangon nuk është një porteno”, termi që i referohet banorëve te Buenos Airesit në spanjisht.