Kryesore Kandidati shqiptar për eurodeputet, Muharrem Salihu: Shqiptarët në Itali të mbështesin kandidaturën...

Kandidati shqiptar për eurodeputet, Muharrem Salihu: Shqiptarët në Itali të mbështesin kandidaturën time, është rast historik

Në qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe një sipërmarrës shqiptar kandidon për eurodeputet në Itali e ai është Muharrem Salihu.

Salihu, në një intervistë në News 24 i ka bërë thirrje komunitetit shqiptar në Itali që të votojnë kandidaturën e tij. Ai tha se është një çast historik për shqiptarët që ata të mund të kenë një eurodeputet, ndaj duhet të shfrytëzojnë këtë çast historik.

“Unë kam angazhime të mëdha në aspektin social dhe humanitar. Kam gjetur mundësinë dhe rastin për të kandiduar për +Europa, për shkak të rrugës që zgjedh zonja Emma Bonino, e cila më ka mbështetur në këtë garë. Komuniteti shqiptar në Itali të përkrahë kandidaturën time, sepse është rast historik i papërsëritshëm. Shqiptarët do të duhet ta votojnë një shqiptar për eurodeputet, kushdo të jetë ai, pasi do ishte historike të kishin një eurodeputet”, tha Muharrem Salihu, kandidat për eurodeputet në Itali.

Ai tha se kombi ynë e meriton Europën, ndërsa ju ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Itali që ta votojnë për eurodeputet.

“Italia është një lokomotivë për rrugën e Ballkanit drejt BE-së. Janë një milionë shqiptarë në Itali, që japin kontributin e tyre për shtetin italian, punojnë e jetojnë në mënyrë të ndershme. Shqiptarët në Itali nuk janë vetëm punëtorë, por janë kthyer edhe në sipërmarrës të suksesshëm. Sa i përket vizitës së Ramës në Itali, besoj se duhet të mbështetet çdo përfaqësues i shtetit shqiptar në vendin fqinj, pasi shqiptarët duhet të mbështeten, sepse tashmë janë qytetarë me të drejta të barabarta me të tjerët në shtetin italian”, tha Muharrem Salihu.

Ish-eurodeputetja Emma Bonino, kryetare e +Europa, në një intervistë për News24, tha se nuk ka pse të përbëjë asnjë habi që ajo mbështet Muharrem Salihun, filantrop me origjinë shqiptare, i cili garon për Parlamentin Europian.

Bonino tha se shqiptarët “janë një komunitet që ne kemi qenë shumë afër, prej shumë kohësh, zotëria ka bërë kërkesë për të hyrë në zgjedhjet për Parlamentin Europian, është një shqiptar me nënshtetësi italiane.

Unë besoj se mesazhi që duhet të japim është se ne jemi thellësisht europeist, që mendojmë se është e rëndësishme, dmth të zhbllokojmë këtë situatë që është e paralizuar”.