Ministria e Jashtme greke shprehu dje shqetësimin e saj për respektimin e minoritetet grek në Shqipëri, duke iu referuar refuzimit të kandidaturës së Fredi Bejlerit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sot, erdhi reagimi i Ministrisë sonë të Jashtme, që shpreh “keqardhjen që vendimi i një institucioni të pavarur dhe kushtetues, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kontekstualizohet si devijim apo zbrapsje e progresit të Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes së pakicave”.
“Situata lidhur me shtetasin shqiptar Fredi Bejleri është e qartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me votë unanime dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, ka ndaluar kandidimin e tij në zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri, referuar faktit se legjislacioni elektoral shqiptar ndalon për një periudhë 10-vjeçare kandidimin e personave për t’u zgjedhur në postin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilët kanë qenë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare. Lidhur me respektimin e të drejtave të pakicave, siç kemi sqaruar edhe në rastet e deklaratave të mëparshme për të njëjtën temë, sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin ata shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim”, lexohet në deklaratën e MPEJ-së.