Bota Kandidatura e Michael Bloomberg, pse milioneri përballet me skepticizëm mes demokratëve

Kandidatura e Michael Bloomberg, pse milioneri përballet me skepticizëm mes demokratëve

Fushës së mbushur me kandidatët që shpresojnë të marrin emërimin presidencial të partisë demokrate iu shtua një emër i ri së fundmi, ish kryetari i bashkisë së New York, Michael Bloomberg. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari thotë se investitori dhe filantropi miliarder 77-vjeçar është një emër i njohur dhe ka në dispozicion miliona dollarë të pasurisë së tij për shpenzimet e fushatës, por sondazhet tregojnë se politikani i moderuar i cili dikur ka garuar si republikan, përballet me skepticizëm mes disa demokratëve.

Michael Bloomberg po bën fushatë për politika që ai thotë se do të ndihmojnë klasën e mesme dhe do të rivendosin drejtësi në ekonominë amerikane.

Miliarderi kandidon në një kohë kur shumë demokratë po kritikojnë pabarazinë e të ardhurave në Amerikë dhe mbajnë qëndrim ndaj ultra të pasurve. Bloombergu po mbështetet tek përvoja e tij për të fituar votues: pozicionin e tij të suksesshëm si mogul në media dhe teknologji dhe si kryetari i bashkisë që rigjallëroi qytetin e Nju Jorkut pas sulmeve të 11 shtatorit.

“Ajo që trashëgoi Michael Bloomberg ishte fjalë për fjalë një zonë katastrofash në Manhattanin e Poshtëm dhe ai ishte në gjendje ta rindërtonte qytetin në mënyrë të konsiderueshme dhe ta rindërtonte atë në mesin e një recesioni”, thotë John Hudak me institutin Brookings

Si kryetar bashkie, Bloomberg krijoi një politikë të veçantë për forcat e rendit të njohur si ndalo dhe kontrollo, e cila lejoi ndalimin në mënyrë disproporcionale të afrikano-amerikanëve për kontrolle të rastësishme të policisë. Kohët e fundit zoti Bloomberg kërkoi falje për politikën, duke thënë se ai nuk e kuptonte plotësisht se si ndikoi ajo tek pakicat, të cilat shihen si mbështetës të rëndësishëm të Partisë Demokrate.

Bloomberg, njeriu i nëntë më i pasur në botë, pritet të derdhë miliona dollarë në reklama.

“Asnjëherë nuk ka patur një kandidat që ka njoftuar se do të garojë për president dhe brenda disa ditësh të shpenzojë 37 milionë dollarë dhe ky është vetëm fillimi”, thotë analisti Larry Sabato.

Sondazhet tregojnë se Bloombergu ka tani rreth 3 përqind mbështetje mes demokratëve. Por pa asnjë favorit të qartë në zgjedhjet paraprake, disa analistë thonë se paratë e tij i japin Bloombergut ndikim dhe perceptimin e pavarësisë në arenën politike.

“Është më mirë për një kandidat të shpenzojë paratë e veta, sesa të mbledhë qindra miliona dollarë nga njerëz që duan diçka në këmbim, qoftë ky posti i një ambasadori apo një dispozitë në ligj për të përfituar për biznesin e tyre”, thotë analisti Larry Sabato.

Në të njëjtën kohë, ato para mund të jenë një përgjegjësi politike në një parti që premton të ngushtojë hendekun në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.

“Unë e kuptoj që njerëzit e pasur do të kenë më shumë këpucë se sa ne, do të kenë më shumë makina se sa ne, do të kenë më shumë shtëpi, por nuk mund të marrin një pjesë më të madhe të demokracisë”, tha kandidatja Elizabeth Warren.

Bloomberg argumenton se ai është kandidati më i mirë për të mposhtur Presidentin Trump, me centrizmin e tij politik dhe pasurinë e madhe. A do të bien dakord votuesit?

Popullariteti nuk blihet lehtë thotë analisti Hudak.

“Presidenti Trump u lidh me votuesit në një mënyrë shumë personale. Nuk është e qartë në se Michael Bloombergu ka të njëjtën karizëm politike”.

Tani për tani, Bloombergu po i anashkalon zgjedhjet paraprake në katër shtete në shkurt. Prova e tij e parë e madhe vjen në 3 Mars, kur 14 shtete do të zhvillojnë zgjedhjet paraprake në atë që njihet si “Super E Marta”.