Dhuna dhe kaosi përfshinë gjithë shtetin federal të Sinaloas në Meksikë, pas arrestimit Olvidio Guzman-Lopezit, djalit të El Chapos dhe disa familjarëve të tij mëngjesin e të enjtes.
Dhuna mbretëroi edhe këtë të premte, kryesisht në qytetin e Kuliakanit, ku pjesëtarët e një prej karteleve më të mëdhenj të drogës në Meksikë sulmuan policinë me armë dhe eksplozivë.
Zyrtarët thanë se 10 ushtarë dhe 19 të dyshuar vdiqën në përleshjet e armatosura.
Ndërkohë që mësohet se të paktën 1000 trupa janë dislokuar në terren për rikthimin e qetësisë.
Banda të armatosura dhe të zemëruara për arrestimin, vendosën bllokada në rrugë, dogjën automjete dhe sulmuan një aeroport lokal në tentativë për të penguar transferimin e djalit të El Chapo-s. Dy avionë u goditën nga të shtënat, njëri prej të cilëve në momentin kur po nisej për fluturim.
Shkollat janë mbyllur, ndërsa autoritetet u bënë apel qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë. Një linjë ajrore meksikane tha se një aeroplan i saj u godit nga plumbat përpara se të ngrihej.
Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit u bënë thirrje shtetasve amerikanë në këtë vend të bëjnë kujdes maksimal, ndërsa qytetarëve të tjerë të shmangin udhëtimet drejt Sinaloas.
Guzmán akuzohet se ka udhëhequr një nga fraksionet e kartelit famëkeq të Sinaloas pas arrestimit të babait të tij. Operacioni është mbështetur edhe nga forca amerikane dhe i riu është transferuar në një kryeqytetin Meksiko.
Meksika pranoi se në operacionin 6-mujor për kapjen e tij janë përfshirë dhe zyrtarë amerikanë. Drejtësia amerikane kishte vendosur dhe një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione lidhur me kapjen e tij.
“Miu” ishte arrestuar dhe në 2019, por u lirua për të shmangur një guerile urbane nga mbështetësit e tij.
Babai i tij Joaquín “El Chapo” Guzmán, po vuan një dënim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për trafik droge dhe pastrim parash.