Kjo hënë ka sjellë përballjen më të afërt fizikisht me Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, që nga 9 shtatori. Ish-kryeministri ka shkuar mesditën e sotme në selinë blu i rrethuar nga mbështetësit, e sipas tij do të mbajnë mbledhjen e parë të Komisionit të Rithemelit, ngritur në 11 dhjetor në Kuvend.
Mirëpo, atë e ka ndarë vetëm një korridor nga zyra ky Lulzim Basha vijonte që të mbante mbledhjen për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në FRPD, të cilin e vazhdoi përtej asaj që po ndodhte në seli.
Ish-kryeministri hasi vështirësi për të gjetur një sallë për të zhvilluar mbledhjen, më pas u akomoduan në një prej sallave. “I ka marrë të gjithë karriget në zyrën e tij se nuk i mjafton karrigia e vet. Lulzim Basha është aq i çmendur pas karriges së tij”, tha Berisha.
AI vijoi se nuk ka punë në zyrën e “deputetit Basha” siç e ka quajtur ai, teksa ka komentuar edhe kallëzimin në SPAK që u bëri PD-ja 5 zyrtarëve demokrat.
“Basha është i shkarkuar nga Kuvendit, por në respekt të anëtarësisë, ato do të shprehen për deputetin Basha. Komisioni ka aspektin e vet politik dhe burokratik, do t’i kombinojnë të dyta, me zyrën e Bashës nuk kemi punë, vijmë këtu për të bërë mbledhjes dhe deputeti Basha deri në 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Europës, ku triumfoi vullneti i anëtarë. Sot futem si njëri nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD, janë të gjithë të barabartë. Firma e turpit që padit në prokurorinë e tij dhe të Ramës, nuk ka akt më të padenjë”, tha Berisha.
Ndërkohë një moment tensioni është regjistruar në seli, ku një nga mbështetëset e Lulzim Bashës, thërriste me të madhe “Basha”, teksa ka ngritur zëri dhe akuza se i kanë bërë presion. Atë është përpjekur që ta qetësojë aktori Julian Deda, mbështetës i Berishës.
Demokratja: Ça i bëra unë, të ma thonë, s’po bëj asnjë skandal, as s’po gjuaj, as s’po shaj, më bënë presion, nuk i kam asnjë faj askujt, kam ardhur për punën time, kush ka punë personale me mua le të vij,
Jul Deda: Hajde me mua, unë jam me ty.
Demokratja: Jo mor burrë ti s’je me mua.