Bota LSDM zgjedh kryetarin e ri, Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë Zaev

LSDM zgjedh kryetarin e ri, Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë Zaev

Dimitar Kovaçevski do të jetë kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate në pushtet, në Maqedoninë e Veriut. Ai do të zëvendësojë në këtë post, Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen pas disfatës së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale, më 31 tetor.

Zgjedhja e Dimitar Kovaçevskit, deri tani zëvendësministër i Financave, u bë në kongresin e jashtëzakonshëm të socialdemokratëve, në një garë ku morën pjesë edhe dy kandidatë të tjerë, Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski.

Kryetari i ri i LSDM-së, Kovaçevski, pritet të jetë edhe kryeministër i ardhshëm. Megjithatë, vendimi nuk ka kaluar ende në Kuvend pasi organet drejtuese të LSDM-së, kërkuan shtyrjen e dorëheqjes së Zaev deri në zgjedhjen e kryetarit të ri dhe sigurimin e shumicës në Kuvend.

“Kemi shumë punë për të bërë për të rikthyer besimin te qytetarët tanë dhe anëtarët e partisë. Duhet ende punë për të garantuar që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga parimet dhe vlerat social-demokrate.  Qeveria duhet t’i përmbushë pritshmëritë për efikasitet më të madh në qeverisje dhe përmbushje të premtimeve. Çelësi për këtë është te vendosja e njerëzve të duhur në pozitat e duhura, si dhe krijimi i një sistemi në të cilin secili do të jetë përgjegjës për detyrat e veta”, u shpreh Kovaçevski.

LSDM-ja humbi shumicën pas largimit të Lëvizjes Besa nga qeveria. Pjesë e qeverisë tani do të jetë partia “Alternativa”, e cila në zgjedhjet lokale ishte në koalicion opozitar me “Aleancën për Shqiptarët”, por edhe nënshkruese e nismës për mocionin e mosbesimit të qeverisë, e iniciuar nga VMRO DPMNE, më 11 nëntor.

Të dielën u mbajt gjithashtu Kongresi i partisë VMRO DPMNE-ja, në të cilin është konfirmuar kryetari aktual, Hristijan Mickoski edhe për një mandat të ri. Mickoski ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas tij, janë zgjidhje e vetme për dalje nga kriza politike.