Pas vetëm tre javësh nga emërimi i Gennaro Gattuso në stolin e Fiorentinës, aventura e trajnerit te vjollcët merr fund.
Në ditët e fundit ka pasur tensione, por situata nuk u qetësua. Përkundrazi. Zyrtarisht palët kanë vendosur që të mos vazhdojnë më bashkëpunimin.
Shkak i divorcit mes palëve janë fërkimet midis drejtuesve të klubit si edhe Jorge Mendesit, agjentit të teknikut në lidhje me merkaton.
Me një komunikatë për shtyp, Fiorentina zyrtarizoi largimin e trajnerit. Drejtuesit tani po punojnë që të gjejnë një emër të ri për në stol.
Gjithçka nisi gjatë operacionit për të sjellë në Firence mesfushorin e Portos Sergio Oliveira. Çmimi i lojtarit, që gjithashtu kishte për agjent Jorge Mendesin solli krisjen e parë.
Nuk pati ulje as për lojtarin tjetër të Portos, Jesus Corona, si edhe Conçalo Guedes, një tjetër portugez pjesë e Valencias.
Gattuso-s i pëlqenin këta lojtarë, por drejtuesit patën vështirësi në plotësimin e kërkesave pasi nuk ishin dakord me shifrat që duhet të paguanin, e kjo solli më pas prishjen e bashkëpunimit.