Vijon të jetë kaotike seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren dhe kërkojnë prezencën e kryeministrit Edi Rama për të dhënë llogari për çështjen McGonigal.
Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u kërkoi deputetëve të opozitës që nëse vërtet e duan një mocion me debat për çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, duhet të respektojnë procedurat dhe kërkesa e tyre për ndryshim të rend të ditës të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve.
Megjithatë, sipas Ballës, opozita nuk është e shqetësuar për hetimet që po bëhen në SHBA, pasi sipas tij, në to nuk është i përfshirë asnjë zyrtar shqiptar. Përkundrazi, sipas tij, opozita po tenton të largojë vëmendjen nga 21 janari dhe Gërdeci. Balla solli në vëmendje se ndërsa mbahej seanca plenare një javë më parë, i biri i kryedemokratit Sali Berisha u thirr në SPAK.
“Nuk janë të shqetësuar për hetimin në SHBA, sepse në atë hetim nuk ka asnjë zyrtar shqiptar të jetë nën hetim. I biri i Berishës një javë më parë ishte para SPAK-ut. Çdo përpjekje e juaj për të hequr vëmendjen nga hetimi i 21 janarit, nga hetimi i Gërdecit është përpjekje e kotë. Vijojmë të jemi në një situatë si kjo kur nuk marrim dot fjalën.”
Në punimet e sotme në Kuvend mungon kreu i demokratëve Sali Berisha dhe tre deputetë të tjerë të cilët u përjashtuan një javë më parë në një afat kohor prej 10 ditësh.