Mesi që vazhdon të bëjë të ëndërrojnë tifozët e Barcelonës, është sot në “Camp Nou” edhe për meritë të Fabio Kapelos, i cili tregoi për “Sky Sports” një anekdotë për të shkuarën e “pleshtit”. Trajneri italian e takoi argjentinasin në moshë të re gjatë një miqësoreje kur ai stërviste Juventusin.
“Më tha presidenti i Barcelonës, Laporta: ‘Mesi është këtu në Barcelonë për meritën tuaj’ gjatë një ndeshjeje që luanim në një miqësore gjatë përgatitjeve të sezonit me Juven, trofeun ‘Gamper’. Mesi ishte 16 vjeç dhe unë, pas 20 minutash, shkova te Rajkard, që atëherë ishte trajneri, dhe i thashë: ‘Te ju nuk luan sepse është ekstrakomunitari i katërt. Na e jepni neve, e mbajmë një vit dhe pastaj rikthehet’.
Dhe ai më tha: ‘Jo, do shohësh se do arrijmë ta zgjidhim’. Dhe, në fakt, ia dolën”. Ai që konfirmon versionin e Kapelos ishte edhe Poçetino, trajneri aktual i Totenhemit, i cili në 2005 ishte lojtar tek Espanjoli, skuadrën ku po mendohej të huazohej Mesi. “Në Barcelonë kisha dëgjuar të flitej shpesh se ishte një bashkatdhetari im. Në një moment mësova se ishte shumë pranë firmës me Espanjolin, por atë verë Barça u ndesh me Juven. Në stol ishte Kapelo, i cili mbeti i befasuar nga ai djalë dhe i thuri elozhe. Në atë pikë, drejtuesit e Barcelonës ndryshuan ide dhe vendosën të mos na e japin më”.