Katër është numri i personave të arrestuar për grabitjen e ndodhur mëngjesin e së premtes në rrugën e Barrikadave në Tiranë.
Përveç 35-vjeçarit të arrestuar pak pas grabitjes, policia njoftoi këtë të shtunë kapjen e 3 bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët përveçse të dënuar më parë për vjedhje, rezultojnë gjithashtu autorë të një tjetër vjedhjeje me dhunë.
Të arrestuarit janë E. B., 37 vjeç, Xh. D., 23 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje, si dhe B. H., 27 vjeç. Të gjithë këta persona janë banues në Tiranë.
Paraditen e së premtes, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona vodhën me dhunë një sasi parash nga Agron Shima, pronar i një pike të këmbimi valutor.
Policia thotë se ata janë dhe autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 07 janar 2019, në rrugën “Mine Peza”, ku dy persona të paidentifikuar, i kanë vjedhur me dhunë çantën shtetasit B. Sh., (roje pranë një pike këmbimi valutor).
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe sendet e përdorura nga këta shtetas gjatë vjedhjeve: Motorr skuter; kokore; tub metalik; thikë dhe doreza plastike; doreza dhe veshje të përdorura nga autorët; tre aparate celular dhe automjet.