Mërzitje. Zhgënjim. Zemërim. Ankth. Acarim i marrëdhënieve. Më shumë se një miliardë njerëz në mbarë botën po përpiqen të durojnë këto simptoma të ndryshme të vetëizolimit.
Deutsche Welle: Qindra miliona vetë janë mbyllur në shtëpitë e tyre. Çfarë duhet të presim që t’u ndodhë atyre?
Është fizikisht e vështirë, është psikologjikisht e vështirë, sepse nuk është izolimi shoqëror mënyra si punojmë ne, si qenie njerëzore. E gjithë rrjedha e jetës bëhet më e vështirë dhe zhgënjyese. Ka dëshmi se njerëzit fillojnë të bëhen dikur të shkujdesur.
Unë mendoj se do të zbulojmë se do të jetë e vështirë për shumë njerëz. Do të ketë disa që do të jenë mirë, por po të mos jesh si ne – të kesh një pronë pak a shumë të madhe, të rehatshme – mendoj se do të bëhet gjithnjë e më pak e durueshme me kalimin e javëve.
Çfarë do të ndryshojë te njerëzit që izolohen në javët në vazhdim?
Para së gjithash, në plan afatshkurtër, ne kemi provuar se përshtatemi si specie, shumë shpejt, me realitetet e reja. Qeveria jonë ka qenë mjaft e kujdesshme të sinjalizojë paraprakisht pothuajse të gjitha ndryshimet që janë bërë. Pra, të gjithë i kanë pritur masat – punën nga shtëpia, mbylljen e restoranteve, pastaj ndalimin e plotë.
Kështu që ata na kanë dhënë pak kohë për t’u përgatitur, gjë që mendoj se ka qenë shumë e dobishme. Por, pas një kohe, njerëzve kjo fillon të mos u bëjë më përshtypje, të mos shqetësohen më, ose thjesht thonë: “Nuk më intereson, boll më, thjesht dua vetëm të dal jashtë për të parë njerëz ose për të bërë diçka”.
Çfarë do të ndiejnë ata saktësisht çdo ditë?
Nuk ka nevojë të jesh psikiatër për të ditur që emocionet janë mërzitje, zhgënjim, zemërim, nervozizëm, si dhe acarim në marrëdhënie. Dhe mos harroni, shumë njerëz tani kanë të bëjnë me fëmijët e tyre, të cilët duhet të ishin në shkollë, por tani nuk janë – një vendim shumë i debatueshëm, me të vërtetë. Kjo ka ndodhur në të gjithë Evropën dhe botën. Mbyllja e shkollave ka shtuar presionet.
Më në fund, dëshira e njeriut për kontakte të vërteta sociale ballë për ballë ose për shumëllojshmëri: njerëzit do të fillojnë t’i japin liri vetes, jo sepse nuk duan të pajtohen, por sepse thjesht do ta quajnë shumë të mundimshme atë që u kërkohet. Kjo do të jetë e ndryshme nga personi në person, dhe natyrisht një numër i madh njerëzish do të binden. Por të tjerët jo.
Si ndikon altruizmi në këtë? Ideja që unë ndihmoj të tjerët duke hyrë vetë në karantinë?
Unë mendoj se kjo është ndoshta pyetja e vetme më e rëndësishme. Ne e dimë se ata që i detyrojnë të futen në karantinë e kalojnë më keq, se sa ata që shkojnë vullnetarisht.
Dhe ata që e shohin, ose i shohin, si njerëz që kanë vepruar me altruizëm dhe u futën në karantinë për të mbrojtur të tjerët – mbase beben e sapolindur të kunatës, ose prindërit e moshuar – do ta kalojnë më mirë në plan afatshkurtër dhe afatgjatë.
Pra, altruizmi, dhe thirrja për altruizëm, dhe bërja e njerëzve të ndjehen se po bëjnë diçka pak heroike, pak për të përfituar të tjerët, është gjëja e vetme më e rëndësishme që mund të bëjnë autoritetet lokale, policia, qeveritë.
Dhe unë mendoj se ka edhe një gjë tjetër që po ndodh. Mjaft njerëz, dhe më duhet të them edhe unë, pothuajse dëshiroj të infektohem me COVID-19 dhe ta kaloj.
Kështu që gruaja ime ka fat. Atë e testuan, dhe ajo tani e ka pasur virusin, dhe tani është imune – ose të paktën imune për të ardhmen e afërt – dhe do të kthehet të punojë sërish si mjeke, duke bërë një punë të mirë. Dhe shumë, shumë njerëz thonë: “Le ta lëmë pas. Atëherë mund të kthehemi, si altruistë të kontribojmë në shoqëri. Ose të paktën e di që e kam kaluar”. Ime shoqe ishte mjaft e sëmurë për dy ditë. Për dy ditë ishte vërtet e tmerrshme. Por u shërua thuajse po aq shpejt sa u sëmur. Dhe tani ajo do të kthehet te vetja e saj normale, e zakonshme, nëse dikush mund ta përshkruajë Clare-in si normale…
Sir Simon Wessely është presidenti i Royal Society of Medicine dhe bashkautor i një përmbledhjeje mbi ndikimin psikologjik të karantinës. Ai foli për DW nën karantinë të imponuar pasi gruaja e tij u sëmur me COVID-19. Wessely është psikiatër, disiplina akademike e tij është epidemiologjia, ose studimi i popullsive të mëdha. Ai është ekspert për çështje si shëndetësia ushtarake, terrorizmi, për mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj situatave emergjente dhe katastrofave, dhe për sondazhe e studime të mëdha. Më parë ai ishte President i Kolegjit Mbretëror të Psikiatërve.