Pasi autoritetet amerikane më në fund arritën të kapnin dhe dënonin narkotrafikantin më famëkeq të viteve të fundit, El Chapo, prokurorët kanë nisur të merren me çështjen e gruas së tij, Emma Coronel Auispuro. Deri tani nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj 29-vjeçares, por roli i saj brenda organizatës po hetohet.
Megjithatë, kjo nuk e ka penguar gruan e Joaquin Guzmann që të regjistrojë në Shtetet e Bashkuara markën e biznesit “El Chapo Guzman” në zyrën e Patentave në Shtetet e Bashkuara. Sipas një zëdhënëse të skuadrës së avokatëve të kreut të Kartelit të Sinaloas, ky është një projekt për të cilin Emma dhe Joaquin kanë vite që diskutojnë dhe më në fund po bëhet realitet.
Por, pa nisur mirë aktiviteti i ligjshëm, duket se do të ketë “luftë” për emrin e Guzmann, që është një ndër personazhet më të përfolur të momentit, i përfshirë edhe në disa seriale të famshëm televiziv.
Paralelisht me gruan e El Chapos, edhe Alejandrina Guzmann Salazar, një prej 10 fëmijëve të El Chapos, ka nisur kompaninë e saj të veshjeve dhe aksesorëve, të quajtur “El Chapo 701”. Edhe pse nuk është regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, firma ka një faqe zyrtare në internet dhe rrjetet sociale.
Kush do të fitojë në fund, gruaja apo vajza, kjo mbetet për t’u parë. Ndoshta bashkohen dhe formojnë një “kartel”…