Kaseta e masakrës së Krushës është kthyer në një temë debati në Shqipëri. Pasi personi që e regjistroi, Milaim Bellanica, pretendoi se i ka dhënë kopjen origjinale kreut të opozitës shqiptare, Lulzim Basha, i cili asokohe punonte për Gjykatën e Hagës, nuk kanë munguar reagimet e politikanëve shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama pas disa postimesh radhazi në rrjetet sociale, ku i kërkonte kreut demokrat të sqaronte rolin e tij në dosjen për “Shtëpinë e Verdhë”, këtë të martë ka reaguar në lidhje me çështjen e kasetës së masakrës së Krushës.
Rama thotë se nuk po e akuzon Bashën, por heshtja e kryeopozitarit si dhe shmangia nga ballafaqimi e kanë kthyer në të akuzuar.
“Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën, po vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mosshpjegimet e tij, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulëzimin në një të akuzuar, që sa më shumë i bën bisht përballjes me akuzat, aq më i dyshimtë duket në sytë e publikut”, tha Rama.
Kreu i qeverisë i kërkon Bashës t’i sqarojë publikut se çfarë roli ka pasur në këtë ngjarje. Rama shkruan se bëhet fjalë për një çështje publike me interes kombëtar e nuk flitet vetëm për jetën private të kryeopozitarit.
“Në këtë mes unë kam vetëm një rol, atë që më takon: T’i kërkoj Lulëzim Bashës t’i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse ia kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk ia kërkojnë dikujt tjetër?! Sepse Lulëzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët”, tha Rama.
Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat që kreu ushtria serbe gjatë Luftës së Kosovës mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. Masakra u krye më 25 Mars 1999 në fshatin Krushë e Madhe, në afërsi të Rahovecit, një ditë pas fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO dhe la rreth 243 viktima, ndërsa 63 nga viktimat mbeten të zhdukura.
Sipas një dëshmitari, forcat serbe kishin planifikuar të masakronin 500 persona. Sipas dëshmitarëve shqiptarë, një njësi speciale e policisë hyri në fshat, veçoi burrat dhe djemtë dhe i vrau. Pastaj, gratë dhe fëmijët u larguan me forcë.