Mjaftuan dy sezone të mira me Cosenzan në Serinë C dhe më pas në B për të bërë hapin cilësor. Kastriot Dermaku tashmë është lojtar i Parmës, që ka afruar në skuadër qendërmbrojtësin e përfaqësueses shqiptare me parametër zero.
27-vjeçari bëri një paraqitje shumë të mirë edicionin e kaluar me Cosenzan, duke u aktivizuar në 33 takime, 32 prej të cilave i nisi si titullar, dhe dukë shënuar një gol, atë të fitores minimale ndaj Spezias. Një paraqitje e tillë nuk ka lënë pa tërhequr vëmendjen e klubeve italiane, por kalimi te Parma është një surprizë e vërtetë edhe për vetë futbollistin, që sheh një mundësi të artë jo vetëm për të treguar aftësitë e tij në elitën e futbollit italian, por mbi të gjitha në një skuadër të njohur. Gjithashtu Dermaku fitoi simpatinë e trajnerit të ri të Kombëtares Shqiptare, Edy Reja, i cili e vendosi si titullar në sfidën ndaj Islandës, kjo ndikuar edhe nga mungesa e Mërgim Mavrajt.
Dermaku nuk është i vetmi lojtar i përfaqësueses kuqezi që do të veshë fanellën e Parmës, pasi më parë me emilianët ka luajtur Andi Lila, që në 13 ndeshje realizoi madje dy gola. Parma është maksimumi për mbrojtësin kuqezi, që deri më sot ka luajtur me skuadra të një profili më të ulët.
Kastriot Dermaku i shtohet kështu kolonisë së kuqezinjve në Serinë A, duke iu bashkuar Thomas Strakoshës, Etrit berishës, Elseid hysajt, Berat Gjimshitit dhe Emanuele Ndojit.