Gazetarja argjentinase, Dominique Metzger, denoncoi te autoritet e Katarit se kishte qenë pre e një grabitjeje ndërkohë që ishte duke raportuar live për TN mbi Kupën e Botës.
Ajo ka rrëfyer në rrjetet sociale atë që i ndodhi:
“Epo, kjo është përvoja e Katarit. Sapo më vodhën portofolin kur po bënim një transmetim të drejtpërdrejtë. Jam në komisariat dhe më dërguan këtu për të bërë denoncimin dhe më garantojnë që gjithçka është nën vëzhgim dhe se do ta gjejnë portofolin që kishte dokumentet, paratë, kartat…,” – shpjegoi Dominique Metzger në kanalin argjentinas TN.
“Ishte vjedhje, por aspak e dhunshme”, theksoi më tej gazetarja.
“Nuk e kuptova kur po më grabitnin. Në një moment po kërcenim me disa njerëz dhe ndoshta ka ndodhur aty. Banorët e zonës na shohin ndryshe, duan të përfitojnë nga ne. Doja të nxirrja portofolin për të blerë një ujë dhe më pas kuptova që mungonte”.
Gjëja më kurioze në përvojën e Dominique Metzger ishte kur oficerët e policisë e pyetën se çfarë donte që ata të bënin me hajdutin kur ta kapnin: “Në një moment më pyetën: “Çfarë do që drejtësia të bëjë me këtë? Sepse do ta gjejmë, ka kamera kudo.” Mendova se e kisha keqkuptuar përkthimin, por jo, ata këmbëngulën të më pyesnin se çfarë dënimi kërkoja për hajdutin, nëse doja që ai të dënohej me 5 vjet burg, nëse donte që të deportohej… Ngulmonin te pyetja se çfarë dënimi doja t’i jepja hajdutit. Por jo, thashë që doja thjeshtë të më ktheheshin sendet personale, nuk doja të vendosja drejtësi në vendin e drejtësisë.”