Ministria shqiptare e kulturës dhe Fondi shqiptaro-amerikan për zhvillim (AADF) nënshkruan të hënën në pikën turistikë të Razmës, në Malësi të Madhe, Memorandumin e mirëkuptimit për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jomateriale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jomateriale të Njerëzimit” të UNESCO-s.
Bëhet fjalë për “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Ritualin e lashtë të shtegtimit të bagëtive”, Xhubletën si dhe Eposin e Kreshnikëve, kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jomateriale shqiptare.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit merrnin pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti, bashkëdrejtori Ekzekutiv i Fondi shqiptaro-amerikan për zhvillim, Martin Mata, si dhe drejtues lokalë të bashkive veriore të Shqipërisë.
Bashkëdrejtori Ekzekutiv i Fondi shqiptaro-amerikan për zhvillim, Martin Mata, theksoi se hartimi i dosjeve për katër dukuritë e trashëgimisë jomateriale do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë.
“Fondacioni ka krijuar një traditë të mirë në ndërhyrje në këtë pjesë të Shqipërisë dhe nëse do të arrijmë t’i përfshijmë këto pasuri në UNESCO, do të ketë një ndikim shumë të madh në turizmin e zonës. Ne, tha ai, do të angazhojmë specialistët më të mirë të zonës për përmbushjen e këtij procesi”.
Për Ministren e kulturës, Elva Margariti, përgatitja e dosjeve për në UNESCO do të zhvillohet ngushtësisht me komunitet lokale, të cilat kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe ekspertizë nga ana e AADF, me të cilin po realizohen një sërë projektesh të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore.
“Vazhdimisht e përmendim si një refren faktin që Shqipëria ka një pasuri kulturore të jashtëzakonshme. Në një hapësirë kaq të vogël gjen një ndërthurje kaq të larmishme motivesh, ngjyrash. Por, do të mbetemi vetëm me jehonën e së shkuarës, e asaj që ishte dhe nuk është më, nëse nuk do të ruajmë dhe trashëgojmë atë pasuri që neve na e kanë trashëguar brez pas brezi, por që sot, nën trysninë e zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe problemeve të së përditshmes, rrezikojmë t’i humbasim”.
Katër dukuritë e trashëgimisë jomateriale, që propozohen për t’u përfshirë në listën e UNESCO-s, përbëjnë vlerat më të spikatura të një tradite të hershme kulturore të zonës veriore të Shqipërisë, që vazhdon të ruhet dhe përcillet edhe në ditët e sotme nga banorët vendas./VOA