Katër raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në vendin tonë duke e çuar në gjashtë numrin total të të prekurve me virusin.
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se tre nga katër rastet e reja janë familjarë të dy personave që ishin konfirmuar fillimisht me COVID-19.
Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërkohë rasti tjetër i konfirmuar është një 31-vjeçar me banim në Tiranë. Ai ka patur një histori udhëtimi në Milano 6 ditë më parë dhe është rikthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj.
Ai po trajtohet bashkë me dy rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta.
Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u bën thirrje qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në numrin 127.