Vitet e fundit, në sajë të një vizioni pragmatist të qeverisë, bashkëpunimi me Diasporën ka hyrë në një fazë të re. E cila mund të vlerësohet si kalim nga romantizmi në realizëm. Ose nga kujdesi për kanalet legale dhe integrimin e emigrantëve, në incentivat për kthimin e atyre të suksesshëm. Nga interesimi i qeverisë për emigrantët, në partneritetin për zhvillimin e Shqipërisë. Duke i konsideruar ata jo vetëm si burim, por edhe si përfitues të këtij zhvillimi. Në këtë kontekst të ri, modestisht po sugjerojmë disa skenarë konkretë për jetërsimin e bashkëpunimit me Diasporën shqiptare.
- Nga remitancat, te fondi i investimeve 1×3
Pas gati tre dekadave, emigrantët shqiptarë kanë krijuar kapitalet e tyre: financiare, njerëzore dhe sociale. Pjesa më e dukshme e tyre janë kapitalet financiare. Dhe pjesa më e dukshme e këtyre kapitaleve janë remitancat. Por remitancat janë njëkohësisht pjesa më e vogël e kapitaleve të emigrantëve. Të ardhurat më të shumta të tyre janë depozituar në bankat e vendeve pritëse. Këto, sipas vlerësimeve të ekspertëve, arrijnë në disa miliardë Euro. Tashmë brezi i emigrantëve të emigruar në fillim të viteve 1990-të është maturuar, edhe pse flukset migratore vazhdojnë. Ky maturim, për një pjesë të mirë të emigrantëve të suksesshëm përkon me valët e para të kthimit. Të cilat kanë filluar. Por kapitalet financiare të emigrantëve janë të kufizuara dhe mund të mos mjaftojnë për të nisur një sipërmarrje të re pas kthimit në Shqipëri. Ato duhet dhe mund të shumëfishohen. Skema që propozojmë është krijimi i një Fondi Investimesh të Diasporës, 1×3. Ky Fond mund të krijohet nga tri burime, që kontribojnë në mënyrë të barabartë: i) të ardhurat e emigrantëve; ii) financim nga qeveria e vendit pritës nga kthehet emigranti; iii) kredi të buta bankare, të garantuara nga qeveria shqiptare ose qeverisja vendore. Në këtë mënyrë, të ardhurat e emigrantit trefishohen, në një shembull hipotetik, nga 5,000 në 15,000 Euro dhe bëhen të mjaftueshme për të nisur një sipërmarrje. Ku përveç punësimit të emigrantit të kthyer, mund të krijohet edhe të paktën një vend tjetër pune. Ka edhe një rrethanë tjetër lehtësuese. Disa vende pritëse, Italia, për shembull, ka filluar zbatimin e një programi për nxitjen e kthimit vullnetar, nëpërmjet mbështetjes financiare të të kthyerve, me shuma deri në 2,000 Euro. Por që në rastin e një programi të koordinuar me qeverinë shqiptare për Fondin e propozuar më lart, kjo shumë mund të disafishohet. Përfundimisht, programi i mësipërm mund të aplikohet për të nxitur kthimin në Shqipëri të emigrantëve të valëve të pas vitit 1990.
- Korsi preferenciale për formimin e menaxherëve të rinj
Diaspora mund të ftohet për të bashkëpunuar edhe në një skenar tjetër të mundshëm: krijimin e korsive preferenciale për formimin e menaxherëve të rinj shqiptarë. Ky mund të jetë një program që i shkon më shumë për shtat Diasporës së vjetër, për shkak të potencialeve financiare dhe lidhjeve të saj me universitetet dhe sipërmarrjet e mëdha në vendet pritëse. Në Shqipëri janë krijuar sipërmarrje të mëdha e të mesme. Këto kanë nevojë për kulturë e stil të ri menaxhimi. Janë krijuar institucione e agjenci të reja shtetërore e publike, të cilat kërkojnë gjithashtu aftësi menaxheriale specifike. Diaspora mund të kontribuojë në formimin e menaxherëve të rinj të sektorit shtetëror, publik e privat, nëpërmjet lidhjeve të saj me shkollat e menaxhimit apo të administrimit të universiteteve prestigjioze në ShBA dhe Europën Perëndimore. Për këtë çështje mund të krijohet një sinergji tripalëshe: sipërmarrjet apo edhe qeveria shqiptare mund të financojnë formimin e menaxherëve; Diaspora e vjetër mund të kontribuojë në krijimin e kurrikulave të programeve ekzekutive për formimin e tyre dhe të ndërmjetësojë me universitetet prestigjioze për aplikimin e tyre; Universitetet mund të ofrojnë këto programe specifike për menaxherët shqiptarë apo në kontekstin e programeve të tyre ekzekutive. Në këtë mënyrë, brenda pak vitesh, Shqipëria mund të ketë një klasë menaxheriale me një kulturë bashkëkohore lidershipi dhe administrimi.
- Bashkëpunim me sipërmarrësit shqiptarë transnacionalë
Vitet e fundit në kontekstin e flukseve migratore ka lindur edhe një tip i ri sipërmarrësi: sipërmarrësit transnacionalë. Edhe pse në Shqipëri kjo figurë profesionale është pak e vonuar, megjithatë shenjat e para janë dhënë. Mjaft prej emigrantëve shqiptarë të rinj, të emigruar pas vitit 1990-të, kanë krijuar sipërmarrjet e tyre në vendet pritëse, sidomos në Itali. Prej tyre, ata i kanë shtrirë aktivitetet e tyre drejt Shqipërisë dhe tregjeve rajonalë. Kjo pozitë i bën ata një pikë të rëndësishme referimi për sipërmarrjet shqiptare, për institucionet, madje edhe për qeverinë. Ata mund të shërbejnë si ndërmjetës për fuqizimin e lidhjeve ekonomike e tregtare me vendet fqinje, por edhe më gjerë. Ky bashkëpunim bëhet edhe më i rëndësishëm, nëse mbajmë parasysh faktin se Ballkani është një rajon i trazuar, me trashëgimi problematike etnike e fetare. Sipërmarrësit shqiptarë transnacionalë mund të shërbejnë për shpejtimin e transformimit të Ballkanit. Rajoni mund të kthehet nga nje skenë ku jo rrallë luhet teatër absurd, për shkak të demonëve të vjetër perandorako-etniko-fetarë, në një rajon ku mbizotërojnë marrëdhëniet ekonomike dhe konkurrenca e tregjeve.
- Ana tjetër e medaljes: fëmijët e pashoqëruar
Fëmijët e pashoqëruar kanë qenë një gangrenë e emigrimit bashkëkohor të shqiptarëve. Gjatë harkut kohor të tri dekadave të fundit, ata kanë qenë shpesh një temë diskutimesh e negociatash midis Shqipërisë dhe vendeve pritëse. Duke qenë se legjislacioni i këtyre vendeve e ndalon riatdhesimin e tyre, zyrtarët shqiptarë janë përpjekur të “qetësojnë ndërgjegjen”, duke shfrytëzuar këtë fakt. Por pavarësisht kësaj, mjaft prej fëmijëve, pas daljes nga qendrat pritëse, kanë përfunduar në rrjetet e trafikantëve e të krimit në këto vende. Fluksi i tyre është rritur edhe gjatë valëve të azilkërkuesve gjatë viteve të fundit në Gjermani, Holandë, Francë, Itali etj. Shqiptarët “azilkërkues” kanë ndjekur dy taktika: vetëquajtjen azilkërkues, por ç’është më e keqja, edhe taktikën tjetër të gjasme braktisjes së fëmijëve, deklarimin e tyre të pashoqëruar, me qëllim pranimin në qendrat pritëse. Vështirë ta quash humane e prindërore këtë taktikë të dytë! Përballë kësaj gjendjeje, duhet të reagojmë. Asnjë të mirë nuk kanë, fjala vjen, rreth 6 mijë fëmijët shqiptarë të pashoqëruar në Itali, nga strehimi i tyre, cilatdo qofshin kushtet, në qendrat pritëse të Italisë. Pasi të hyjnë në moshën madhore, nuk e dimë ç’fat i pret. Disa përvoja të kaluara janë drithëruese. Për më tepër që disa vende pritëse, këtu kemi parasysh Italinë, kanë ofruar programe bujare për riatdhesimin e tyre në Shqipëri, financimin e shërbimeve jetike bazë, shkollimin, formimin profesional, pagesa për familjet, dhe pas fitimit të një profesioni, emigrimin legal me kontratë pune në Itali. Mos kini droje se dikush mund t’ju akuzojë për riatdhesimin e fëmijëve të Shqipërisë. Është më mirë për ta të rriten e edukohen në familjet e tyre, sesa në kushte “gjysmë skllavërie” të pashpallur në qendrat pritëse. Pastaj, kur të rriten, le të shkojnë si zotërinj, me tituj profesionalë e dinjitet, në Itali apo gjetkë.