Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias ka dërguar një mesazh ndaj autoriteteve shqiptare për të përfunduar sa më shpejt hetimet e organeve përkatëse për sqarimin e rrethanave nën të cilat humbi jetën Konstantinos Katsifas.
Mesazhi i tij përfshihet në përgjigjjen e interpelancës që ka kërkuar për këtë ngjarje një deputet i partisë së re “Zgjidhja Greke” në datën 8 gusht dhe publikohet sot.
“Athina i ka bërë të qartë palës shqiptare se hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesa të mëtejshme, raporti i hollësishëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes dhe kjo do të çojë në dhënien e drejtësisë, por dhe sigurisë për minoritetin kombëtar grek”, thekson kryediplomati grek.
Ai nënvizon gjithashtu faktin se Ministria e Jashtme që ai drejton tregon seriozitet dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjes së rëndësishme të Katsifas-it duke informuar në mënyrë sistematike dhe sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim, si dhe për çdo zhvillim që ndikon negativisht te minoriteti grek në Shqipëri.
Por Dhendia kritikon vonesën e madhe në hetime që ka ardhur edhe si rezultat i ndryshimit të prokurorit të çështjes dhe kërkon që në këtë fazë të publikohet Raporti Zyrtar i Prokurorisë së Pergjithshme të Krimeve të Rënda për kushtet në të cilat humbi jetën një pjesëtar i minoritetit dhe njëkohësisht shtetas grek. Ministri i Jashtëm përfundon përgjigjen e tij duke theksuar se pozicionimi i përhershëm i Athinës është dhe ka qenë “mbrojtja e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek, e cila ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet bilaterale Greko-Shqiptare, por edhe me perspektiven evropiane të Tiranës, pasi përbën një nga 5 prioritetet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të marre ne tetor datën për hapjen e negociatave për integrim në BE.