Numri dy i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi reagoi mbrëmjen e të dielës, duke denoncuar, sipas tij, se Spitali i Kavajës është zgjedhur nga qeveria si karantinë në rast të përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Bardhi e quan “papërgjegjshmëri” dhe “kërcënim serioz” këtë zgjedhje.
“Sot në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, për ta kthyer në Karantinë. Kjo është papërgjegjshmëri! Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve.
Ky është një provokim i rëndë për Kavajën! I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të mos e pranojnë trajtimin nga Edi Rama si banorë të parëndësishëm, jeta e të cilëve nuk ka rëndësi për Kryeministrin. Karantinën ta ndërtojë në shtëpinë e tij në Surrel, jo në Kavajë”, tha Bardhi.