Kazinotë do të rikthehen në kryeqytet. Një vendim i qeverisë i miratuar në datën 2 shtator, i cili u publikua sot në fletoren zyrtare, përcakton se qendra e Tiranës do të jetë zona se ku do të pozicionohen kazinotë në kryeqytet.
Sipas kësaj VKM-je parashikohet se lojërat e fatit të tipit kazino do të pozicionohen brenda perimetrit të Rrugës së Barrikadave, ‘Urani Pano’, ‘Dedë Gjo Luli’, ‘Ibraim Rugova’, ‘Xhorxh Bush’ dhe Bulevardit ‘Zhan D’ark’.
Ky vendim i qeverisë shoqërohet me një tjetër që përcakton kriteret për të lejuar ushtrimin e lojërave të fatit të tipit kazino, ku kryesorja është se duhet të ketë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë dollarë.
Tashmë, aktivitetet që i mbylli vetë qeveria është duke i rihapur në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, ku vitet e fundit po lulëzojnë edhe ndërtimet shumëkatëshe dhe pronarët e tyre e kanë më të lehtë të posedojnë kapitalin prej 12 milionë dollarësh.