Sport Themelohet “Liga Unike”, bashkon basketbollin e Shqipërisë me atë të Kosovës

Themelohet “Liga Unike”, bashkon basketbollin e Shqipërisë me atë të Kosovës

Shqipëria dhe Kosova do të bëjnë bashkë ligat e basketbollit duke themeluar një ligë të përbashkët, e cila do të quhet “Liga Unike”.

Lajmi bëhet me dije nga dy federatat përkatëse, të cilat kanë njoftuar mediat se, të enjten më 10 shtator do të zhvillohet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e saj.

Marrëveshja do të nënshkruhet nga presidentët e federatave Avni Ponari dhe Arben Fetahu, ndërsa në ceremoninë e nënshkrimit do të jenë prezent kryeministri Edi Rama si dhe ministret e Arsimit, ajo e Shqipërisë Besa Shahini dhe ajo e Kosovës, Vlora Dumoshi.

Kryeministri Rama, si ish-basketbollist dhe dashamirës i këtij sporti pritet të jetë ai që do të prezantojë dhe logon e ligës.

Themelimi i kësaj lige vjen pas një kohe të gjatë diskutimesh dhe përpjekjesh nga ana e të dyja federatave, të cilat kanë gjetur përkrahje edhe nga FIBA.

Liga Unike do të përbëhet nga tetë skuadra, katër nga Shqipëria e katër nga Kosova. Ndërkohë bordi drejtues i ligës do të përbëhet nga dy anëtarë përfaqësues nga secila federatë.

Bashkimi në një ligë është një hap i madh për sportin shqiptar pasi përveçse rrit konkurrencën bashkon edhe më tej qytetarët e Shqipërisë me ata të Kosovës.

Vlen të theksohet se një dëshirë e ngjashme ka qenë edhe për futbollin, mirëpo dy federatat përkatëse nuk kanë gjetur përkrahje të ngjashme nga UEFA.