Komisioni Europian i kërkon Parlamentit të mos vendosë në rrezik marrëveshjen e 5 qershorit me ndryshime të tjera ligjore. Komisioni Europian e mbajti këtë qëndrim përmes zëdhënëses Ana Pisonero, e cila theksoi rëndësinë e votimit pa ndryshime të marrëveshjes së 5 qershorit.
“Është thelbësore që Marrëveshja e 5 Qershorit për reformën zgjedhore në Shqipëri të ruhet e pandryshuar, nisur nga nevoja për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, një kusht i vendosur nga Këshilli në Mars, përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Asnjë ndryshim tjetër ligjor nuk duhet të rrezikojë këtë qëllim kryesor”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian.
Qëndrimi i Komisionit Evropian shkon në të njëjtën linjë me atë të Gjermanisë, e cila deklaroi se miratimi i ndryshimeve të njëanshme kushtetuese do të detyrojë Bashkimin Europian të mos hapë bisedimet për anëtarësimin në BE.