Komisioni Evropian e ka shpallur të mbyllur krizën e emigracionit ndërsa i ka drejtuar tani sulmet e tij mbi lajmet e rreme dhe keqinformimin mbi këtë çështje.
Frans Timmermans, zëvendës president i Komisionit Evropian tha: Evropa nuk po përjeton më krizën e emigracionit që kaloi në 2015 por probleme strukturore mbeten.
Në 2018, 116647 persona sipas agjencisë së kombeve të bashkuara UNHCR kanë kaluar Mesdheun, një reduktim në masën 89 për qind krahasuar me 2015.
Ndërsa trendi nuk është i ri, raporti i progresit i komisionit, sugjeronte të mërkurën një qasje më të fortë në drejtim të marrëdhënieve publike me Brukselin që kritikoi mitet dhe të pavërtetat. Gjuha e ashpër pason shkëmbime të tensionuara deklaratash mes Brukselit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, që e ka shndërruar emigracionin në një çështje elektorale.
Qeveria hungareze, muajin e kaluar lançoi një fushatë, bazuar në pretendime jo korrekte mbi emigracionin, ku shfaqej në postera edhe presidenti i komisionit evropian Jean Claude Juncker dhe filantropisti hungarezo-amerikan, Xhorxh Soros. Sidoqoftë, komisioni thotë tani qartë se kriza e emigracionit ka përfunduar pavarësisht problemeve në Greqi, që ende nuk janë zgjidhur. Tani Spanja është kthyer në pikën kryesore hyrëse drejt BE dhe po punohet me Marokun për një program kontrolli kufijsh.