Sali Berisha, në një konferencë shtypi me ekspertë të ekonomisë dhe çështjeve sociale, deklaroi se “vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria”.
“Sot ka një hendek të madh, ndër më të mëdhenjtë që një komb mund të ketë, midis të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri. E vërteta është se ky hendek i madh në të ardhura në Shqipëri është më i madh se në çdo komb tjetër në Ballkan dhe në Europë. Ka një shkak themelor që ka krijuar këtë hendek të tmerrshëm, është vjedhja e madhe që u bëhet qytetarëve, pasurimi duke vjedhur të varfrit i qeveritarëve dhe oligarkëve, klientelës së tyre. Avokati i Popullit e ka përllogaritur minimumin jetik rreth 200 euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 euro, pra është llogaritur një e katërta, ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj, edhe më të kushtueshme se në mesataren e BE. Por, vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria”, tha Berisha.
“Nga kjo pagesë, përfitojnë mbi 85 përqind e pensionistëve, të cilët janë ndër këtë pagesë, përfitojnë të gjithë familjet me ndihmë ekonomike, të cilët marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 8 mijë lekë, përfitojnë kategori të tjera dhe duhet të përfitojnë studentët, duhet të përfitojnë të rinjtë”, theksoi Berisha.