Këpucët e yllit të futbollit, Lionel Messi, janë shitur në ankand për 173 mijë dollarë, konfirmoi për CNN shtëpia e ankandeve “Christie”. Shuma do të shkojë për bamirësi.
Shifra ishte rekord për një palë këpucë futbolli të përdorura. Për më tepër, janë këpucët me të cilat Messi realizoi golin e 644-t në karrierë, më 22 dhjetor 2020, duke thyer rekordin e vendosur nga Pele për numrin më të madh të golave të shënuar për një klub të vetëm.
Pele, i vlerësuar si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, realizoi 643 gola për Santos në vitet 1956-1974. Ndërsa Messi e theu rekordin e tij për 17 sezone që luan me klubin katalanas. Që prej debutimit në vitin 2004, argjentinasi ka fituar 10 tituj kampion dhe 4 herë trofeun e Champions League.