Opinione Keqqeverisje për “Guinness”, por opozita ende nuk bind

Keqqeverisje për “Guinness”, por opozita ende nuk bind

Nga Leonard Karaj

Kush pret apo beson tek ndonjë mrekulli opozitariste gjatë vjeshtës dhe në vijim, për shkak të ndryshimeve kushtetuese dhe keqqeverisjes rilindase, thjesht gabohet. Teorikisht, i fituar në këtë situatë, është vetëm Rama, i cili nga njëra anë “nuk i mërziti” aq sa duhet ndërkombëtarët dhe, nga ana tjetër, bëri ato ndryshime që i lejojnë të besojë qartësisht për një mandat të tretë (të besojë, por jo se do ta fitojë). Në këtë kontekst, Këshilli Politik, nga i cili priten “shkëndijat” e betejës së radhës, thjesht do të vërë politikisht në zbatim marrëveshjen e 5 qershorit, e cila rregullon më së shumti mënyrën e menaxhimit të zgjedhjeve, por jo zgjedhjet në thelb, përderisa në atë marrëveshje nuk u shpik kushedi se çfarë, për të asgjësuar shitblerjen e votës, apo ndërhyrjen e “të fortëve” në procesin zgjedhor. Zgjedhjet në Shqipëri, vijojnë të jenë nën diktatin e politikanëve-biznesmenë, oligarkëve dhe kriminelëve të mbrojtuar nga pushteti, qoftë qendror, apo edhe në nivel vendor.

Kësisoj, përtej “makiazhit administrativ”, apo ndonjë kundërshtie foshnjarake, sa për imazh të minorancës, pjesa tjetër është dakordësi në heshtje. Në fund të fundit, çfarëdo që të bëjë PD-LSI, tashmë hapja e listave, ashtu sikundër deshi Rama, nuk është thjesht fakt teorik, por realitet i pashmangshëm. Madje, duhet dyshuar fort edhe te sinqeriteti i opozitës, në lidhje me propozimin për 100% lista të hapura, përderisa, vetë liderët e këtyre grupimeve politike, padashje, në momentin kur braktisën Parlamentin, faktuan se edhe kur i vënë vetë në listë kandidatët për deputetë, nuk arrijnë dot që “t’i urdhërojnë” siç duan. Imagjino tani, kur kandidati për deputet të fitojë mandatin duke dalë nga një listë e hapur.
Ndërkohë, ajo çka është vërejtur gjatë viteve të fundit, është se pavarësisht një keqqeverisjeje për “guinness”, opozita nuk ka mundur të injektojë dozën e duhur të optimizimit dhe një frymë qytetarie, sidomos tek elektorati i madh gri. Kjo ndoshta sa për mënyrën skandinaviane të opozitarizmit që ka zgjedhur të bëjë z. Basha, por ndoshta edhe për një mungesë organizimi të theksuar, sidomos në bazë. Kështu, frika, ankthi dhe problemet e shumta ekonomike që u krijuan sa nga tërmeti, por edhe nga pandemia, me gjasë do të zbehen ndjeshëm nga propaganda shembullore që di të injektojë mazhoranca, aq sa qytetari hallexhi të harrojë totalisht që është ende pa shtëpi dhe i pasigurt për shëndetin e tij.

Ndaj nëse ka një pikë të fortë të kësaj mazhorance, që i duhet njohur apriori, është propaganda “alla leniniste”. Makineria zhurmëmadhe që aplikon prej kohësh ERTV-ja, ka për borxh që të shuajë shumë shpejt çdo negatitivet që prodhohet sa nga zyra e presidentit, por edhe nga opozita, aq sa hera-herës është kthyer edhe në një “boumereng” kundër akuzatorëve. Asnjëherë më parë një qeveri nuk është akuzuar kaq fort edhe nga mediat e huaja (por jo të huajt vendës, fatkeqësisht), dhe përsëri në masën e gjerë, duket se çdo gjë është sfumuar shpejt, pikërisht si rezultat i kësaj propagande të gënjeshtërt.
Gjithsesi, duhet pranuar se sot, në 2020-ën, përtej çdo bindjeje, konservatore apo liberale, shqiptarët kanë arrritur të bëjnë dallimin mes gishtit dhe dorës. Gjithkush i paindoktrinuar ende nga “arritjet e panumërta” të Rilindjes, e di se Rama nuk duhet ta qeverisë më këtë vend, por, nga ana tjetër, fatkeqësisht nuk sheh as dritë të plotë në fund të tunelit, teksa as Basha dhe as Meta nuk injektojnë besueshmëri. Meta, si politikan karriere, ka treguar me qindra herë se më shumë se gjithçka i dhimbset e ardhmja e tij politike, ndaj për këtë arsye, për hir të pushtetit, ka bërë edhe pakte të paimagjinueshme dhe, sigurisht, tejet të pamoralshme.

Ndërsa Basha, edhe pse një lider i ri, nuk ka mundur ende të largohet nga hija e Berishës (e cila jo domosdoshmërisht është negative), dhe as të tregojë mençurinë e një politikani që i shkon në fund çdo iniciative politike, pavarësisht kostove. Në më shumë se një rast dhe vetëm në pak kohë si kreu i PD-së, Basha ka ndërmarrë veprime që në startin e tyre kanë qenë tejet frymëzuese, dhe jo thjesht për militanët e PD-së, por që më pas janë sfumuar totalisht, duke sjellë jo pak zhgënjim. Kjo gjë ka sjellë vetvetiu edhe një besueshmëri të vakët ndaj lidershipit të tij. Por, gjithsesi, për shkak të “masakrës qeverisëse” në çdo sektor të jetës, unë besoj fort se Basha do të ketë një rol më vendimtar, sidomos te votuesi gri, përkundrejt Ramës, tashmë të ezauruar totalisht politikisht, dhe Metës në një pozicion teorikisht asnjanës. Kësisoj, parashikioj një vjeshtë tejet të ashpër dhe me një dimër të acartë, por që zor se do të mundin ta ndalin rotacionin politik në pranverën e 2021-shit.