Kryesore 110 të shëruar dhe 152 raste të reja me Covid në 24...

110 të shëruar dhe 152 raste të reja me Covid në 24 orët e fundit

Testimet gjatë 24 orëve të fundit kanë zbuluar 152 raste të reja me Covid-19. Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të premte se në testime përfshihen edhe ato që janë kryer në strukturat jopublike, por të licencuara nga ISHP-ja. Sërish në krye të listës është Tirana me 73 raste të reja.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 73 raste në Tiranë, 19 raste në Korçë, 9 raste në Berat, 8 raste në Durrës, 7 raste në Kukës, 6 raste në Lezhë, 5 raste në Shkodër, nga 3 raste në Elbasan, Kavajë, nga 2 raste në Krujë, Vlorë, Kamëz, Mat, Gjirokastër, Klos, nga 1 rast në Fier, Lushnje, Rogozhinë, Vau I Dejës, Gramsh, Kuçovë, Maliq”.

Pozitive gjatë 24 orëve të fundit është shifra e të shëruarve. 110 persona i janë shtuar kësaj liste duke e çuar numrin e përgjithshëm të atyre që e kanë kaluar sëmundjen në 4096. Fatkeqësisht betejën me sëmundjen gjatë orëve të fundit e kanë humbur dy qytetarë, duke e çuar numrin e viktimave në 240, që nga fillimi i pandemisë.

“Një 61-vjeçar nga Korça dhe një 83-vjeçar nga Mirdita me sëmundje bashkëshoqëruese. I shprehim ngushëllimet familjarëve”.

Numër i lartë pacientësh të shtruar në spital. Aktualisht në dy spitalet Covid po trajtohen 137 pacientë të konfirmuar pozitivë. 24 prej tyre janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve të intubuar.

“Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar dhe 28 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bëri thirrje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment duke ruajtur distancimin fizik, duke vendosur maskën dhe duke u kujdesur për higjienën personale.