Kryesore Kërcënimi i Bashës, Klosi: Përpjekje për t’u bërë burrë në sytë e...

Kërcënimi i Bashës, Klosi: Përpjekje për t’u bërë burrë në sytë e demokratëve

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, është shprehur se thirrjet e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha për luftë nuk duhen marrë aspak seriozisht, por duhen konsideruar thjeshtë si një përpjekje e tij për t’u bërë burrë në sytë e demokratëve.

Klosi i lexon kërcënimet e kryetarit të Partisë Demokratike si një lëvizje taktika para zgjedhjeve, por edhe reflektim i frikës nga drejtësia e re.

Sipas ish-kreut të SHISH, Lulzim Basha, për shkak të funksioneve gjatë qeverisjes “Berisha”, është ngatërruar në disa çështje të thella, të pagjykuara nga drejtësia. Klosi i shikon protestën edhe si një alibi për të mos votuar ngritjen e institucioneve të Vetingut.

-Z. Klosi, në ditën e shtatë të protestës, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka bërë thirrje publike për luftë. Në vlerësimin tuaj, a mund të provokojë kjo retorikë trazira sociale? A duhen marrë seriozisht thirrje të tilla?

Për mendimin tim, thirrje të tilla, nuk duhen marrë aspak seriozisht.

-Ku bazoheni? Për çfarë arsyeje?

Arsyeja është se, ai kërkon t’i japë rëndësi vetes, po tenton që të bëhet burrë, më në fund. Nuk ka asnjë shans që thirrjet e tij për dhunë apo luftë të jenë gjëra serioze. Basha thjeshtë po përpiqet që në sy të të vetëve të tregohet si njeri i vendosur dhe nuk tërhiqet në asnjë lloj mënyre, duke u dhënë njëfarë shprese të gjithë njerëzve të Partisë Demokratike. Natyrisht, Partia Demokratike, metodat e dhunshme i ka pasur pjesë të saj. Kishte kohë që nuk i kanë përdorur, pra nuk i kanë futur dot në punë. Tani, para zgjedhjeve parlamentare, po përpiqet që të ngrejë tonin dhe të ashpërsojë luftën politike. Është pjesë e fushatës. Është fushata përpara. Synon t’i tonifikojë njerëzit e PD. Nuk kanë asnjë shans për dhunë. Sepse policia është shumë më tepër afektive se çka qenë. Policia do t’i arrestonte në çast të gjithë ata që do të tentonin të ushtronin dhunë, ku do t’i provonin në kurrizin e tyre pasojat. Këto lloj taktikash kanë pasoja. Nuk tolerohen.

-Gjithsesi, thirrjet për të grushtuar, thyer xhama, shpuar goma dhe tërhequr zvarrë, a mund të frymëzojnë grupe të caktuara militantësh?

Këto metoda, Partia Demokratike i ka të vetat, i ka në arsenalin e saj të metodave politike. Ata kanë hedhur në erë shtyllat e tensionit. Kanë bërë çudira. Në këtë kontekst, nuk është për të thënë ‘jo’. Këto nxisin, por ajo kohë ka kaluar. Ndaj, unë e shoh vetëm si një përpjekje të Lulit për t’u burrëruar, për t’u bërë pak trim. Dikush ia ka thënë nga brenda se nuk shkohet në zgjedhje kështu. Një gjë duhet të kemi parasysh se, sot më shumë se kurrë ne jemi në monitorimin e të gjithë botës. Jo se ne jemi kaq të rëndësishëm, por se jemi në një periudhë të rëndësishme. Po kërkohet që të bëhet një reformë në drejtësi. Mendohet që kjo reformë të jetë një shembull për të gjitha vendet e Lindjes, të cilat janë në periudhë tranzicioni. Kështu që ata e kanë shumë seriozisht. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që, reforma dhe cilësia e zgjedhjeve do të jenë faktorë përcaktues për çeljen e negociatave. Në këtë aspekt jemi shumë të monitoruar. Ambasadorët tashmë janë bërë si të shtëpisë në të gjitha institucionet e shtetit. Në këtë kuadër, kemi të bëjmë me një retorikë parazgjedhore.

-Si mund të dalë opozita nga ngujimi para Kryeministrisë?

Kjo formë proteste nuk ka asnjë gjasë që të shkojë përpara. Ata nuk janë ngujuar. Nuk mund të quhet ngujim. Ata vejnë-vijnë. Ajo është një zyrë e Partisë Demokratike. Në vend që të venë tek SHQUP-i, ata mblidhen aty, për të bërë më shumë bujë. Është faktori propagandistik i një zyre të tillë. Është një zyrë, ku Luli mban fjalime çdo ditë. Dhe duke mbajtur fjalime çdo ditë, sigurisht që ka edhe shumë gafa brenda, qoftë edhe me këto thirrjet për dhunë.

-Ka një pretendim nga mazhoranca sipas të cilit pas protestës fshihet bllokimi i Vetingut…

Ky është problemi kryesor. Unë e besoj Ramën në këtë aspekt. Duke u mbërthyer pas kësaj protestës në emër të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar Parlamentin dhe si rrjedhojë kanë sajuar një mënyrë për të bllokuar procesin e Vetingut. Unë jam i sigurt se janë të trembur. Lulzim Basha është i trembur.

-Pse duhet të jetë i trembur Lulzim Basha, z. Klosi?

Lulzim Basha është më i tremburi. Lulzim Basha është i ngatërruar me shumë gjëra të thella, pavarësisht se ai deri më tani është fshehur pas Sali Berishës dhe njerëzit janë marrë më shumë me Berishën. Nuk duhet të harrojmë se Basha ka qenë Ministër i Brendshëm në 21 Janar. Ka qenë gjithashtu ministër i Transporteve kur bëhej Rruga e Kombit. Ai i shpëtoi drejtësisë me procedurë. Ata e mbyllën këtë çështje, meqenëse kaluan afatet. Ai ka qenë ministër i Jashtëm, gjatë negocimit dhe miratimit të marrëveshjen e detit. Këto çështje duhet të jenë dhe mund të jenë objekt i drejtësisë së re.

-Berisha thotë se revolucioni demokratik ka filluar…

Në këto kushte kur Partia Demokratike është në pozita shumë të vështira, ku duket se situata është shumë e rëndë, janë të përçarë dhe po shkojnë nga humbja në humbje, Berisha nuk di se çfarë të thotë. Dibrën, të cilën ata e shndërruan në sfidë ndaj qeverisë dhe që do të tregonte pakënaqësinë, ata e humbën rëndë, ndaj Berishës nuk i mbetet gjë të tjetër, veçse të thotë revolucione dhe marrëzira. Për mua, janë broçkulla. Ai nuk kërcënon më dot njeri. Ai ka mbaruar. Së pari, kush do t’ia bëjë revolucionin? Më këtë do ta bëjë revolucionin? Çfarë do me thënë revolucion? Duhet që të pyetet pak më shumë për këtë çështje, që ta shpjegojë, pasi ka përkufizime të ndryshme për revolucionin. Berisha synon që të qëndrojë mbi ujë. Kërkon të jetë i rëndësishëm. Për mua ka mbaruar. Ka kaluar koha e tij. Ai bëri çfarë mundi. Komandoj në këtë vend për 25 vjet. Tani i iku koha. I iku mosha. Llafet i janë shteruar. Sa i takon zgjedhjeve, është luftë për pushtet. Ata do futen në zgjedhje. Por, humbjen nuk do ta përjetojnë shumë.

-Ka një klimë tensioni mes opozitës dhe ambasadorëve. Cili është komenti juaj?

Qëllimi i kësaj loje që po bëhet, me çadrën etj., është që të bllokohet Vetingu. Pra, që të sabotohet procesi i Reformës në Drejtësi. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të interesuara që reforma në drejtësi të realizohet sa më shpejt. Nuk është vetëm për Shqipërinë. Ky Veting që do bëhet në Shqipëri, është edhe një lloji eksperimenti, i cili nëse do të jenë i suksesshëm, do të jetë një shembull për të gjitha vendet e Lindjes. Ky është problemi i tyre. Ata duan që procesi i reformës në drejtësi në Shqipëri të bëhet sa më shpjet dhe të jetë i suksesshëm. Korrupsioni lidhet kryesisht me transformimet e mëdha dhe vendet në tranzicion.