Politika “Kërcënimi” i Ramës për bashkitë: Asnjë buxhet nëse nuk garantoni pastrimin

“Kërcënimi” i Ramës për bashkitë: Asnjë buxhet nëse nuk garantoni pastrimin

“Nuk do kalojmë asnjë buxhet bashkiak që nuk do të ketë të garantuar financimin e pastrimit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në Kuvend gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2022.

Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës se pastrimi i territorit do të ketë një vëmendje të shtuar dhe buxhet specifik gjatë këtij mandati.

“Pastërtia e vendit është një aspekt tjetër. Do të hyjmë me një buxhet specifik në funksion të një ndryshimi thelbësor të qasjes ndaj territorit sa i përket pastërtisë. Pushteti vendor duhet të marrë mesazhin se pastërtia në gjithë perimetrin e bashkive është një kriter i patjetërsueshëm i përcaktimit të masës së mbështetjes së mëtejshme të pushtetit vendor. Do të marrim masa të natyrës financiare dhe drastike për ata që nuk arrijnë të performojnë. Nuk do kalojmë asnjë buxhet bashkiak që nuk do të ketë të garantuar financimin e pastrimit”, tha kryeministri.