Gjyqtarja Saida Dollani, gjithashtu kryetare e gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është marrë në mbrojtje dhe në ruajtje nga Policia e Shtetit së bashku me anëtarë të familjes së saj.
Dyshohet se gjyqtarja Dollani është kërcënuar nga anëtarë të bandës së Emiliano Shullazit, gjyqi për të cilin që prej muajit janar nuk po zhvillohet, edhe pse në muajin nëntor gjykata e shkallës se parë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 55 vite burgim në total.
Megjithëse në apelin për Krimet e Rënda që prej 21 janarit kanë dështuar tetë procese ndaj Emiliano Shullazit dhe katër bashkë-akuzuarve me të , policia vazhdon të qëndrojë në gatishmëri në ambientet e gjykatës në ditët kur zhvillohen seancat ndaj të dyshuarve si grup kriminal.
Por ndërkohë një tjetër njësi speciale po ruan kryesuesen e trupës që po gjykon që prej muajit prill Emiliano Shullazin, Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endri Qyqen dhe Endri Zelën.
Saida Dollani është marrë në ruajtje, pasi ka dyshime që anëtarë të grupit e kanë kërcënuar. Gjithçka ka nisur në seancën e datës 23 prill në të cilën i pandehuri Blerim Shullazi kërkoi dorëheqjen e zonjës Dollani, që u bë pjesë e gjykimit pas përjashtimit nga vettingu të kryesuesit Fehmi Petku.
Pas kësaj seance ka dyshime thotë një burim se të afërm të gjyqtares janë kërcënuar çka ka sjellë edhe nisjen e hetimeve sekrete nga Prokuroria.
Njëkohësisht gjyqtarja është marrë menjëherë në mbrojtje. Por trupa gjyqësore ka mbetur me vetëm dy gjyqtare zonjës Dollani dhe zonjën Albana Boksi, ndërkohë që së fundmi gjyqtarja e tretë Nure Dreni dha dorëheqjen me argumentin se kishte qenë e angazhuar në një proces të mëparshëm ndaj anëtarëve të grupit.
Pritet që trupa të plotësohet sërish, ndërkohë që edhe prokurori është zëvendësuar me një të ri, zotin Isa Jata, pas përjashtimit nga vettingu të prokurorit Artan Bajrami.
Më herët edhe në shkallën e parë dy prokurorët Eneid Nakuci dhe Elisabeta Ymeraj u kërcënuan nga Gilmando Dani me akuzën se po e mbanin në paraburgim pa të drejtë dhe se kishin për ta parë çfarë do t’u ndodhte. Më pas prokurori Eneid Nakuci me justifikimin se kishte probleme shëndetësore mori gjashtë muaj leje duke shkaktuar edhe vakum në gjetjen e prokurorëve që do të shpallnin pretencën.
E gjitha kjo solli një situatë të paprecedentë pasi prokurorët refuzuan të përfaqësojnë akuzën e shtetit në gjykatë, derisa pretenca u shpall me një grup të ngritur enkas.
Gjatë këtyre javëve të tensionuara policia mori në ruajtje godinën, dhe e gjitha kjo la të nënkuptohej se drejtësia ishte e brishtë para një grupi i cili është lakuar shpesh edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kanë dhënë shpesh mesazhe mbështetje për misionarët e drejtësisë që tregojnë kurajo në zbatimin e ligjit./TCH