Pas kërcënimit me jetë të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili është arrestuar autori Muharrem Zilja.
Arrestimi është kryer me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ai akuzohet për kanosje dhe keqpërdorim të thirrjeve telefonike, pasi e ka kërcënuar Ismailin nëpërmjet mesazheve në celular.
Muharrem Zilja dyshohet se është shtyrë nga një grup kriminal për kërcënimin e Agim Ismailit.
Tani pritet që ai të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.
I arrestuari rezulton i dënuar më parë për shpërndarje drogë në Tiranë. Autori mësohet se nuk ka pasur asnjë konflikt me Ismailin, pasi dënimin në burg e ka kryer para se ky i fundit të bëhej drejtor i burgjeve. Muharrem Zilja dyshohet se është shtyrë nga një grup i rrezikshëm kriminal.
Ai është identifikuar nëpërmjet numrit të IMEI-t të telefonit, pasi kartën me të cilën ka kërcënuar Ismailin e ka hedhur dhe në të njëjtën telefon ka vendosur numër tjetër të gruas. Gjatë marrjes në pyetje Muharrem Zilja nuk e ka pranuar autorësinë e krimit.
Agim Ismaili është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në shkurt të vitit 2019 dhe është kërcënuar edhe njëherë më parë me jetë, nga një i dënuar në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës.