Ia kalon vetëm Cristiano Ronaldo për milionat e eurove që fiton në Arabinë Saudite, asnjë tjetër. Ashtu sikurse u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit botëror më 2017, duke kaluar nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro, edhe kësaj here Neymar është shndërruar në kryelajm për vendimin e lënies së Parisit dhe shkuarjes në Arabinë Saudite, për dy vitet e ardhshme, tek Al-Hilal.
Veç “thasëve” me para, kontrata e yllit brazilian përmban edhe privilegje të tjera të çmendura, që e bëjnë Neymar një “mbret” të ri në Arabinë Saudite.
Al-Hilal do t’i garantojë atij një pagesë paksa më të ulët se ajo që mburret portugezi tek Al-Nassr. Për të qenë të saktë, Neymar do të marrë një minimum prej 80 milionë eurosh në vit, me mundësinë e dyfishimit të shumës me lehtësi falë bonuseve, shpërblimeve për arritjet (ekipore dhe personale) dhe marrëveshje të pasura tregtare. E thënë thjesht, ylli i Brazilit do të marrë në shtëpi rreth 320 milionë euro për 24 muajt e ardhshëm. Por jo vetëm.
Shifrës astronomike të mësipërme, duke përfshirë bonuset prej 80.000 euro për çdo fitore, në fakt do t’iu shtohen 500.000 euro të mira për çdo postim në Instagram, që synon promovimin e kampionatit saudit.
Pastaj janë privilegjet dhe avantazhet e garantuara, duke përfshirë një avion privat për ta përdorur pa asnjë kufizim, një pronë mbi një mijë metra katrorë me park privat, personel shërbimi në dispozicion 24 orë në ditë, tre kuzhinierë personalë në detyrë të përhershme, shoferë privatë dhe sipas thashethemeve të pakonfirmuara, edhe një kopsht zoologjik të vogël me kafshë ekzotike.
Braziliani kërkoi t’i plotësoheshin edhe disa dëshira, mes të cilave edhe pasioni i tij për makinat. The Sun raporton se Neymar ka kërkuar jo një, por plot 8 makina luksi në parkun e tij të makinave në Riad, mes të cilave: Bentley Continental GP, Aston Martin DBX dhe Lamborghini Huracan. Dhe një shofer që të jetë i gatshëm në cdo kohë për ta shoqëruar kudo.
Madje ka kërkuar që edhe frigoriferi të ishte plot me pije Açaí, marka e tij e preferuar, por edhe pije për familjen dhe miqtë e tij.
Nga e gjithë kjo do të përfitojë jo vetëm Neymar, por edhe familja e miqtë që synojnë ta vizitojnë, me garancinë se do të jetë në gjendje të bëjë një jetë pa asnjë kufizim (me kusht që kjo të bëhet me maturinë e duhur).