Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të lejuar që të marrë pjesën në seancat plenare në Kuvend.
Lideri demokrat ndodhet prej 30 dhjetorit nën masën e sigurisë arrest shtëpie dhe prej 3 muajsh mungon në seancat parlamentare.
Genci Gjokutaj, përfaqësuesi ligjor i liderit demokrat u shpreh se Sali Berisha nuk mund të trajtohet mbi bazën e ligjit të të burgosurve apo të të arrestuarve siç thotë Gjykata, por nga Kushtetuta.
“Sot u vërtetua shkelja e Kushtetuta, shkelmimi i saj. Këta sy që nuk shikojnë dhe veshë që nuk dëgjojnë, por me regji jo se kanë defekt në organ, kanë shkelur Kushtetutën sepse Berisha nuk është një punëmarrës që trajtohet mbi bazën e ligjit të të burgosurve apo të të arrestuarve siç thotë Gjykata, por trajtohet nga Kushtetuta.
Në asnjë pikë të vendimeve gjyqësore nuk përmendet ky rast. Kërkesa për dhënien e lejes ëpr Berishën për të vajtur në Kuvend është e pjesshme. Kërkesa jonë kryesore është lirimi i Berishës sepse nuk ka vepër penale, provë apo akuzë. Këta kanë vendosur trupat e tyre për ta mbajtur në këmbë. Se sa do të durojnë është punë e tyre, kjo gjykata me vendimin largoi veten nga ligji”, u shpreh Gjokutaj.
Pyetjes nëse rrezikohet mandati i deputetit, ai iu përgjigj: “Berisha nuk mungon në Kuvend pa arsye. Nëse do të quhet arsye, çartja dhe lajthitja e kësaj gjykate në lidhje me çështjen e Berishës atëherë do të shikojmë se çfarë do të ndodhë”.