Kryesore Marrëveshja Rama-Meloni, 653 milionë euro për qendrat e pritjes në Lezhë

Marrëveshja Rama-Meloni, 653 milionë euro për qendrat e pritjes në Lezhë

Marrëveshja e nënshkruar në Romë në fund të vitit të kaluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni, parashikon ndërtimin e dy qendrave për pritjen e emigrantëve që mbërrijnë në brigjet italiane. Marrëveshja në fjalë ka një kohëzgjatje prej 5 vitesh dhe mund të rinovohet sërish.

Corriere della Sera ka analizuar sot se si do të ndërtohen dhe do të funksionojnë dy qendrat: njëra në Shëngjin dhe tjetra në Gjadër.

Në Qendrën e Shëngjinit do të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, qendra e Gjadrit, një kamp me sipërfaqe 77 mijë metra katrorë, do t’u shërbejë emigrantëve për qëndrim në pritje të miratimit të kërkesë për azil ose urdhër dëbimi.

Në Shqipëri do të vijnë vetëm meshkuj të rritur nga vende që konsiderohen të sigurta (si p.sh Tunizia, Maroku dhe Algjeria). Pasi kalojnë procedurat në portin e Shëngjinit, ata zhvendosen në qendrën e Gjadrit, ku kapaciteti maksimal është 3 mijë migrantë.

Afati i parashikuar për të qëndruar aty në pritje të procedurave të azilit, të cilat kryhen edhe përmes lidhjeve me Romën, është 28 ditë. Në rast se një emigranti i pranohet azili, ai hyn rregullisht në Itali. Në të kundërt riatdhesohet, po nga Italia. Pra, qendra pret dhe përcjell emigrantë gjatë gjithë kohës. Çdo muaj hyjnë 3 mijë e dalin 3 mijë, në total 36 mijë emigrantë në vit.

Kostoja totale, 653 milionë euro

Dy strukturat do të kushtojnë 69 milionë euro. Autoritetet italiane kanë parashikuar edhe rastet e ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, duke shtuar në projekt pajisjen me gjeneratorë dhe depozita uji dhe sistem më vete të shkarkimit të ujërave të zeza.

25 milionë euro të tjera janë parashikuar për institucionin pritës. P

ër mbikëqyrjen e jashtme teknike, e cila sipas marrëveshjes i takon Shqipërisë, Italia do t’i paguajë shtetit shqiptar 94 milionë euro.

Udhëtimi, ushqimi dhe akomodimi e karabinierëve, Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s kanë një kosto shtesë prej 260 milionë e 200 mijë euro.

Pesë komisionet që ngrihen për të drejtën e azilit kushtojnë 17 milionë e 970 mijë euro. Janë rreth 152 të punësuar nga shteti italian, mes të cilëve zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë, magjistratë, gjyqtarë dhe drejtues të shëndetësisë, të cilët në total paguhen 42 milionë e 507 739 euro. Qeraja e mjediseve në Romë, nga ku do të bëhen lidhjet video, kostoja e energjisë dhe ngrohjes shkon në 2 milionë e 920 mijë euro.

Për të ndërtuar dhe pajisur 20 salla gjyqi për seancat në Shqipëri dhe për lidhje telematike nga Italia duhen 8 milionë e 730 mijë euro. Shpenzimet e udhëtimit për avokatë dhe përkthyes 29 milionë e 160 mijë. Për emigrantët që kthehen në Itali, kostoja e qirasë së anijeve, automjeteve dhe pajisjeve është 104 milionë euro të tjera të tjera.

Kostoja totale e marrëveshjes për pesë vjet është 653.5 milionë euro.