Mbrëmjen e së enjtes u publikua vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha iu bashkua në mbrëmje artistëve në mbrojtje të Teatrit.
Basha theksoi se shpreh solidaritetin e opozitës, për të mbrojtur një vijë të kuqe të demokracisë.
“Jemi i vetmi vend botë, ku në vend që t’i kushtohet vëmendje koronavirusit, e gjithë vëmendja e Ramës është të grabisë pronat publike. Unë jam këtu për të treguar solidaritetin e opozitës, për të mbrojtur një vijë të kuqe të demokracisë”, tha kreu demokrat.
Vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar këtë të enjte, në një mbledhje online, vendimin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave kaloi në pronësi të Bashkisë së Tiranës, truallin dhe godinën e Teatrit Kombëtar, me qëllim ndërtimin e një objekti bashkëkohorë.
Kundërshti të shumta ka pasur për prishjen e godinës, jo vetëm nga artistë dhe figura të tjera të njohura, por edhe nga opozita, si dhe nga presidenti Meta, i cili iu drejtua për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.