Femrat që bëjnë hapin e parë në raport me një mashkull, kanë më shumë gjasa të kenë fat me lidhjen e tyre të dashurisë.
Sipas një studimi të aplikacionit The League, një në tre çifte heteroseksuale të suksesshme, janë lidhur pasi ka qenë femra ajo që e ka dërguar mesazhin e para.
Sondazhi u bazua në një aplikacion që shërben për njohje të reja dhe analizoi të dhënat nga 100 çifte të suksesshme që kishin gjetur dashurinë në The League, në një përpjekje për të zbuluar sekretet për të gjetur dashurinë e qëndrueshme në internet.
Megjithatë, sipas ekspertes të lidhjeve Madeleine Mason, gratë kanë më shumë gjasa të bëjnë hapin e parë në jetën reale, edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme ato ndoshta nuk e kuptojnë se po e bëjnë këtë.
“Burrat rrallë i ndjekin gratë, nëse nuk marrin ndonjë sinjal interesi, qoftë një buzëqeshje, një fjalë apo një lëvizje të flokëve”, tha ajo për The Independent.
“Kjo duket të jetë një sjellje e lindur në ADN-në tonë dhe ndodh në shumicën e shoqërive. Pra, mund të mos jetë aq e ndryshme në një kontekst online”.
Interesante është gjithashtu se çiftet e suksesshme kanë pasur një dallim mesatar të moshës prej tre vjetësh, ndërsa më shumë se 80 për qind e tyre kanë pasur të njëjtin nivel të arsimit.